Mandati i dytë i qeverisë “Rama” do të jetë një koalicion me njerëzit dhe kjo do të realizohet, sipas Kryeministrit, përmes një platforme ku kushdo mund të marrë pjesë.

“Do të jetë një mekanizëm, një hapësirë, ku të gjithë ata që duan të marrin pjesë në bashkëqeverisje do mund të regjistrohen si anëtarë të koalicionit dhe do kenë akses në gjithë procesin politikbërës”, tha Kryeministri.

Në dëgjesën publike me banorët e Librazhdit, Rama tha se edhe ata që nuk janë pjesë e këtij koalicioni mund të kenë akses në platformë për të ngritur problemet e tyre me shtetin.

“Platforma nuk do jetë një profil në “Facebook”, ku secili bën muhabetin e vetë dhe kaq, por do jetë një mekanizëm pas te cilit do të ketë një ushtri të tërë me njerëz që do ndjekin çdo ankesë deri në fund”, u shpreh Rama.

Reforma në administratë do të jetë e thellë, sipas Ramës. “Duam të bëjmë që anëtarët e qeverisë të paraqiten në interpelancë edhe me njerëzit e zakonshëm”, tha ai. Kryeministri foli dhe për listën me emrat e denoncuar në “Facebook”-un e tij.

“Ajo ishte një listë me komentet e njerëzve, komentet ishin aty, ishte thjesht një përmbledhje e komenteve, nuk është për të nxjerrë të këqijtë, as për ndëshkime administrative, fare. Ajo është përmbledhje e emrave që janë përmendur nga njerëzit që kanë komentuar, aty janë njerëz reale, ka nga ata që fshihen pas profileve, por mekanizmi që do ndërtojmë nuk do jetë ky. Kush do ngrejë problem do jetë me identitetin e vetë”, tha Rama.

Top Channel