Jugosllavia? Rama: Marrëzi. Tregu ballkanik, projekt europian

14/07/2017 00:00

Vendimi i samitit të Triestes për të krijuar në Ballkanin Perëndimor një zonë të përbashkët ekonomike u komentua në Tiranë si një përpjekje për të rikthyer ish-Jugosllavinë.

Por Kryeministri Edi Rama e kundërshtoi këtë tezë me argumentin se realizimi i projekteve në infrastrukturë dhe energjetike do ta bëjë Ballkanin një treg me tërheqës ekonomik.

“Është një projekt evropian. Nuk ka broçkull më të madhe për t’u evidentuar si kulmi i marrëzisë në evidentimin e këtij projekti se sa broçkulla e rikrijimit të Jugosllavisë”, tha Kryeministri.

Në samitin e Triestes Shqipërisë iu miratua financimi i përgatitjes së 5 projekteve, që sipas procedurave europiane do të fillojnë të realizohen disa vite më vonë. Bashkë me projektin e vet 4-vjeçar për investimin e 1 miliard dollarëve, me disa projekte të rëndësishme infrastrukturore, Kryeministri Rama ka një objektiv të rëndësishëm ekonomik.

“Këto të gjitha bëjnë një kornizë optimiste edhe në kuadrin e ambicies tonë për ta rritur brenda mandatit të ri ekonominë mbi 5 përqind, duke bërë të mundur që impakti i rritjes ekonomike të ndjehet në të gjitha shtresat e popullsisë”, u shpreh Kryeministri.

Por fokusi i Brukselit tek stabiliteti ekonomik në Ballkan ka lënë disi në hije perspektivën e zgjerimit. Kryeministri Rama nuk e fshehu që Shqipëria mund të mos hapë këtë vit negociatat, edhe pse, siç tha ai, e realizoi kërkesën për ligjin e Vettingut.

“Për sa na takon, ne i kemi kryer detyrat tona, edhe zgjedhjet që sapo përfunduan janë konsideruar një histori suksesi, kështu që i takon BE-së të mbajë fjalën. Ne i kemi kryer detyrat tona. Natyrisht BE-ja mund të vazhdojë të bëjë atë që bën zakonisht kur kërkon të shikojë gishtin, kur gishti tregon hënën dhe të nxjerri gjëra të reja, por ne jemi gati për të hapur negociatat”, u shpreh Kryeministri Rama.

Top Channel