Veliaj: Së shpejti nis rikonstruksioni i plotë i rrugës së Dibrës

08/07/2017 00:00

Rikonstruksioni i plotë i rrugës së Dibrës do të nisë së shpejti, dhe lajmi është bërë i ditur nga vetë kreu i bashksië së Tiranës, Erion Veliaj.

Ai ka qënë këtë fundjavë në nisjen e rregullimit të rrugës së “Oxhakut”, një tjetër premtim i mbajtur për kryebashkiakun.

“Fillimisht, në Rrugën e Dibrës kemi nisur me fasadat, për t’u rritur vlerën dyqaneve dhe pallateve, duke zgjidhur përfundimisht degradimin që po u ndodh ndërtesa. Tani do të vijojmë me rrjetin rrugor dhe nënshtresat, për t’u siguruar që deri në fund të verës, edhe Rruga e Dibrës, por edhe rruga e Oxhakut, të përfundojnë për t’i rritur vlerën pronës, të rregullojmë trafikun dhe t’i japim më shumë estetikë e gjelbërim qytetit”, u shpreh Veliaj.

Nisur nga situata e furnizimit me ujë të pijshëm në disa zona të kryeqytetit, Veliaj u kërkoi qytetarëve që të tregohen bashkëpunues në këtë periudhë, ku e gjithë Europa përballet me thatësirë të zgjatur. Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se uji i pijshëm, ashtu sikurse edhe energjia elektrike, nuk duhet të shpërdorohet nga qytetarët.

“U bëj thirrje qytetarëve që ta kursejmë ujin e pijshëm dhe të sigurohemi që një mall si uji i pijshëm, energjia elektrike, duhen trajtuar me shumë respekt. Gjërat e çmuara i vlerësojmë vetëm kur na mungojnë. Bashkia e Tiranës mund të disiplinojë pa fund, por nuk mund t’i vëmë polic çdo zorre uji. Kjo është arsyeja pse kërkojmë kulturë, civilizim, qytetari, që duke kursyer ujin e pijshëm dalim faqebardhë nga kjo thatësirë që nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, por edhe një pjesë të Italisë, Greqisë fqinje dhe Ballkanit jugor”, deklaroi Veliaj.

Ndërhyrja në rrugën e “Oxhakut” parashikon lirimin e hapësirave të zëna, ndërtimin e trotuareve, ndërtimin e plotë të rrjetit të kanalizimeve, asfaltim, ndriçim, si dhe pajisjen me të gjithë sinjalistikën e nevojshme për të rritur sigurinë e qytetarëve dhe të drejtuesve të automjeteve.

Top Channel