Pista e Silverstone rrezikon që të mbetet jashtë kalendarit të botërorit të Formula 1 në vitin 2019.

Sipas asaj që publikohet te tabloidi “Daily Mail”, organizatorët e kësaj gare do të kërkojnë që të nisin bisedime të reja me drejtuesit e “Liberty”, duke kërkuar që të bëjnë efektive një klauzole për zgjidhjen e parakohshme të kontratës përpara zhvillimit të garës së këtij viti, që është fundjavën e ardhshme.

Është një situatë që ngre dyshime të mëdha mbi të ardhmen e një prej pistave më jetëgjata të Botërorit të Formula 1. Herën e fundit që është bërë rinovimi i kontratës mes drejtuesve të këtij botërori dhe organizatorëve të garës së Silverstone ka qenë në vitin 2010 dhe afati përfundimtar ishte 2027. Por, problemi qëndron se çdo vit taksa që duhet paguar është rritur me nga 5%. Gjithçka ka filluar me kuotën e 13.6 milionë eurove dhe mbyllet me pagesën e një kuote prej 30 milionë eurosh.

Të premten e ardhshme është afati i fundit për të vendosur nëse do të vazhdohet me këtë kontratë apo do të zgjidhet dhe opsioni i dytë duket se është më i preferuari nga drejtuesit e Silverstone, të cilët duan të reduktojnë shpenzimet.

Objektivi në këtë pikë është që drejtuesit e kësaj piste të nisin sa më shpejt bisedimet me ata të “Liberty” për t’i bindur se Silverstone është një garë shumë e rëndësishme e Botërorit të Formula 1 dhe ambienti rreth këtij Çmimi të Madh është vërtet i veçantë. Por, “Liberty” duket se po mendon të tregohet e kujdesshme në këtë pikë, kjo për faktin se kompania amerikane nuk dëshiron të përballet me peticione nga drejtuesit e pistave të tjera të Formula 1. Kjo do të thotë se nëse gjithçka do të shkojë keq në këtë çështje, atëherë Silverstone do t’i thotë lamtumirë Botërorit të Formula 1 në vitin 2019.

Top Channel