Personat që nuk e gjejnë emrin e tyre në listat përfundimtare të votimit mund t’i drejtohen gjykatës së rrethit ku banon për t’u pajisur me leje votimi.

Në lidhje me këtë procedurë, kryetarja e gjykatës së Tiranës Enkeledi Hajro ka urdhëruar zhvillimin e gjykimeve të kërkesave për votim.

Bëhet fjalë për ato persona që për një mënyrë apo një tjetër nuk e gjejnë emrin në listat e votimit por që janë të regjistruar në zyrat përkatëse të gjendjes civile dhe mund t’i drejtohen gjykatës për tu pajisur me një leje të posaçme votimi.

Që nga e hëna, datë 19 qershor e deri gjashtë orë para përfundimit të votimit më 25 qershor, e gjithë trupa e gjyqtarëve të dhomës civile si dhe administrata e gjykatës do jenë në gatishmëri për të shqyrtuar çdo kërkesë për leje votimi.

Kërkesat do të pranohen nga kryesekretaria e gjykatës deri në mesnatën e datës 23 qershor. Ndërsa shortet për përcaktimin e gjyqtarit për çdo kërkesë do të hidhen menjëherë sapo ato të paraqiten në kryesekretari për të mos patur vonesa në shqyrtim.

E gjithë administrata e gjykatës dhe trupa e gjyqtarëve civile do të jenë në punë edhe të shtunën dhe të dielën përkatësisht në datat 24 dhe 25 qershor. E njëjta pratikë do të ndiqet në të gjitha gjykatat e vendit për ata persona që nuk e ka emrin në listat e votimit.

Top Channel