Veliaj: Urbanizimi rrit vlerën e pronës së qytetarëve

19/06/2017 00:00

Bashkia e Tiranës ka nisur rikualifikimin urban të bllokut të “Misto Mames” në Kombinat. Kryebashkiaku Veliaj ka inspektuar nisjen e punimeve në një sipërfaqe prej 35 hektarësh.

“Ka qenë një kërkesë prej dy vitesh e Sajmirit që të përfundonim një projekt, i cili transformon 35 hektarë të një lagjeje që është ndërtuar me djersë gjatë gjithë viteve ‘90-2000. Do të punojmë gjatë gjithë verës, ka apo s’ka fushatë, ka apo s’ka pushime, në mënyrë që deri në fund të vitit të sigurohemi që, ashtu si lagja “Shushica” te Njësia 5 apo lagja “Besa” te Bregu i Lumit dhe shumë hapësira që ku ka vënë dorë bashkia, të kemi mundësi që të sjellim urbanizim edhe zonën e Kombinatit”, theksoi kryebashkiaku i Tiranës.

Sipas tij, procesi i ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës për urbanizimin e këtyre zonave, ka rritur disa herë vlerën e pronës së qytetarëve. “Duke filluar nga Pazari i Ri e deri te Bregu i Lumit dhe Bulevardi i Ri, urbanizimi ua ka rritur vlerën pronës deri në 2-3 herë. Ajo që presim është që kur ky investim të ketë mbaruar, edhe këtu vlera e pronës të rritet 2-3 herë dhe secili qytetar t’i shohë dukun investimit të djersës dhe gjithë punës së tij ndër vite”, u shpreh ai, ndërsa kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për punimet që po kryhen me ritëm të shpejtë.

Top Channel