Rama në Kashar: PS provoi se nuk janë të gjithë njësoj

19/06/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama është ndalur pasditen e kësaj të hëne në Kashar të Tiranës, ku para simpatizantëve socialistë ka përcjellë mesazhin se, “jo të gjithë janë njësoj”.

“Nëse ne do të ishim si ata, sot Tirana nuk do të ishte një fuqi e madhe zhvillimi. Nëse ne do ishim njësoj si ata, sot 97 për qind e shqiptarëve nuk do të paguanin më pak taksa seç paguanin 44 muaj më parë. Po të ishim të gjithë njësoj, kush fitonte më shumë do të vazhdonte të paguante më pak”, ka thënë Rama.

Rama ka shprehur keqardhjen e tij që politikanët e tjera vazhdojnë, sipas tij, të tallen me njerëzit, duke i trajtuar si qënie që vetëm duhet t’u shkojnë nga mbrapa.

“Do ulim taksat, thotë Luli. Po taksa për biznesin e vogël është zero! Luli mbase mund t’i çojë nën zero”, ka thënë më ironi Rama.

Ai është shprehur se, nëse ka diçka për të cilën njerëzit duhet të krenohen, ato janë reformat që qeveria e tij ka ndërmarrë me qytetarët.

“Po të ishim njësoj, sot borxhi nuk do të shkonte duke u ulur, por do të ishim siç ishim para 44 muajsh, me një gropë financiare të madhe”, ka vijuar më tej Rama.

Dhe zgjedhja më 25 qershor, sipas tij, është e qartë, “o do të zgjedhim të shkojmë përpara, ose do të kthehemi në të shkuarën”, ka shtuar Rama.

Top Channel