Londër, sulm pranë xhamisë. Një i vdekur, 10 të plagosur

19/06/2017 00:00

Në Britaninë e Madhe ka pasur shumë tolerancë këto vitet e fundit ndaj terrorizmit. Duke iu referuar incidentit të “Finsbury Park”, kryeministrja Theresa May deklaroi se incidenti ishte i një linje me të gjitha aktet e tjera terroriste, si dhe një sulm i neveritshëm ndaj lirisë së kultit.

“Ky është sulmi i dytë këtë muaj dhe pothuajse po aq i pështirë sa të tjerët përpara tij. Ishte një goditje ndaj përditshmërisë, ndaj njerëzve të pafajshëm që vazhdonin jetën e tyre si zakonisht. Ne mblidhemi së bashku këtu, sot, për të dënuar këtë akt të urryer e për të deklaruar sërish qëndrimin tonë se urrejtja dhe e keqja nuk kanë për të triumfuar”, tha Theresa May.

Agresori e kishte shumë të qartë në kokë se kë do të sulmonte. Objektivi i 48-vjeçarit të prangosur tashmë nga policia ishin besimtarët myslimanë. Një person u vra e 10 të tjerë u plagosën, kur furgoni i drejtuar prej tij u përplas mbi njerëzit e mbledhur pranë një xhamie në veri të Londrës.

“Kur personi doli nga mikrobusi e u përpoq të largohej, gjatë të gjithë kohës thoshte: dua të vras myslimanë! E qëllova në bark, pastaj erdhën edhe djem të tjerë. E mbërthyem në tokë dhe e mbajtëm aty pa lëvizur, derisa erdhi policia”, tha Khalid, dëshmitar okular.

Këshilli i myslimanëve të Britanisë doli me një deklaratë, ku thuhej se furgoni është lëshuar qëllimisht në drejtim të besimtarëve. Besohet se shumë prej viktimave kanë qenë duke u larguar pas lutjeve të mbrëmjes në thyerjen e agjërimit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit.

Këshilli e cilësoi incidentin një “manifestim të dhunshëm të islamofobisë” dhe kërkoi përforcimin e masave të sigurisë rreth xhamive. Sipas kryebashkiakut të Londrës, Sadiq Khan, forca policore shtesë janë duke u dërguar, ndërkohë, në mbrojtje të komuniteteve, sidomos atyre që mbajnë Ramazanin.

Britania është përballur me një seri incidentesh gjatë muajve të fundit, përfshirë sulmin terrorist në Manchester dhe atë në afërsi të “London Bridge”, që lanë pas dhjetëra të vrarë.

Top Channel