“Brexit”, BE i druhet brishtësisë së kryeministres May

19/06/2017 00:00

Udhëheqësit europianë druhen se qeveria e Theresa Mayt është tepër e brishtë për të negociuar kushte të zbatueshme për të lënë unionin, gjë që do të thotë se diskutimet që nisin zyrtarisht të hënën mund të përfundojnë me një “Brexit” brutal, pra pa asnjë marrëveshje.

Zyrtarët kanë nisur në mblidhen në Bruksel, por duket se nisja e shumëpritur e bisedimeve është lënë në hije nga kaosi politik në Londër.

Pala europiane druhet se qeveria britanike do të luftojë që të ruajë pozicionin e saj, cilido qoftë ky, pa u shpërbërë. Pa mbështetjen e partisë irlandezo-veriore “DUP”, May është e kufizuar në negociata dhe ka shqetësime se mbështetja e tyre vjen me kushte.

Negociatorët britanikë shpresojnë që të shtojnë besimit te qasja e tyre e ashpër në nisje të bisedimeve, duke arritur progres për çështjen e të drejtave të qytetarëve. Por burime nga BE-ja thonë se, axhenda e së hënës do të përqëndrohet në gjetjen e bazës së përbashkët, apo logjistikës për bisedimet, dhe jo në detaje.

Pritet që detaje të merren vesh në vitin 2018, por përpara kësaj, një moment kyç do të jetë samiti i udhëheqësve të BE-së në tetor, kur kryenegociatori Michel Barnier të paraqesë progresin e arritur. Ky i fundit, bashkë me ministrin britanik për “Brexit”, David Davis, do të përmbyllin ditën e parë të bisedimeve me një konferencë për shtyp në mbrëmje, ku zor se do të flitet për më shumë sesa, mbase, fryma e mirë e bashkëpunimit.

Në kuadër të negociatave, ministri britanik i Financave Philip Hammond tha se, nëse nuk arrihet një marrëveshje do të ishte një rezultat shumë i keq për Britaninë, por jo më i keq sesa një marrëveshje që me dashje synon të dëmtojë ekonominë britanike në vitet në vazhdim.

Top Channel