Basha në Gjirokastër: Rama rriti taksat, ne do rrisim ekonominë

19/06/2017 00:00

Në Gjirokastër, Lulzim Basha tregoi arsyen kryesore përse sipas tij shqiptarët nuk duhet të votojnë Edi Ramën.

“Kishte 5 vjet kohë dhe 16 miliardë euro në dispozicion. Nuk punoi asnjë ditë për të realizuar premtimin e tij për të hapur vende pune. Në vendin me rrogat më të ulëta në Ballkan, brenda 4 viteve bëri taksat më të larta, çmimin më të lartë të energjisë dhe çmimin më të lartë të naftës”, deklaroi Basha.

Për të treguar se ku ndryshon ai nga Edi Rama, Basha, mbajti sërish në fokus ekonominë. “Me Edi Ramën e kemi të sigurtë se taksat do të vazhdojnë të mbeten të larta dhe madje do të rriten më shumë, se paratë e taksave tuaja nuk do të kthehen në pensione, as në subvencione. E dëgjoni që u thotë fermerëve merrni kredi? Ky është kryeministri i bankave, jo i njerëzve. Unë do të jem kryeministri i fermerëve shqiptarë, i punëtorëve shqiptarë, i sipërmarrjes shqiptare, i të rinjve dhe i të gjithë Shqipërisë”, tha Basha.

Ai tregoi në Gjirokastër edhe arsyen kryesore përse duhet votuar Partia Demokratike. “Reforma në drejtësi po ndodh, institucionet e shtetit do të vazhdojnë të forcohen, por e diela e ardhshme nuk e ka votën për to. Ai do timonin për vete, unë do të rregulloj motorin, që është ekonomia e fortë, pa të cilën nuk mund të ketë të nesërme të sigurtë”, premtoi Basha.

Kreu i opozitës kishte edhe një thirrje për të pavendosurit. “Bashkohuni me këtë lëvizje të jashtëzakonshme qytetare dhe popullore. Vetëm vota për numrin 6 është votë për veten tuaj. Fitore”, apeloi Basha.

Top Channel