Kulla e Sahatit rikthehet në punë

17/06/2017 00:00

Ora e Kullës së Sahatit, simboli i Kalasë së Gjirokastrës do të lëvizë akrepat e saj pas 10 vitesh heshtje. Pas ndërhyrjes së bërë në objekt pritet që javën tjetër, ora të jetë sërish funksionale.

Përfaqësues të Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë bërë prezantimin e projektit që konsiston jo vetëm në vënien në funksionim të orës, por edhe në restaurimin e plotë të kullës së sahatit duke përfshirë këtu edhe rivendosjen e këmbanës.

Vlera e plotë e konsolidimit të kullës dhe mekanizmit të orës shkon në 25 milion lekë.

Rifunksionimi i Kullës së Sahatit u arrit falë bashkëpunimit të Ministrisë së Kulturës me Rotary Club Gjirokastra.

E ndërtuar në kohën kur Kalaja e qytetit ishte nën zotërimin e Ali Pashë Tepelenës, Kulla e Sahatit u dëmtua rëndë gjatë Luftës së Parë Botërore, ndërsa ora dhe këmbana u morën nga grekët në vitin 1913, për t’u riparuar pas vitit 1945.

Sahati dhe këmbana e re u sollën nga një kishë në Shkodër, por ajo ka rreshtur së funksionuari që pas vitit 2006, kur sistemi mekanik u tentua të këmbehej me një mekanizëm elektronik.

Top Channel