“Artisti Agim Rada bashkëjeton së paku që prej 10 vitesh me horrorin.” Keshtu do te shprehej çdokush që viziton për herë të parë vilën ku ai banon, në katin e parë të së cilës të pret një takim me horrorin, një takim i bukur, sigurisht, pasi ka brenda artin.

Sidoqoftë, mbetet një pikturë e stërmadhe, 12 metra e gjatë e 3 metra e lartë, e frikshme, të cilën Gimi e ka realizuar vetëm për një javë në vitin 2007.

Paraditeve, apo mbrëmjeve ai zbret në hollin e shtëpisë së tij, ku i pëlqen të kalojë kohën duke medituar mbi historinë e jetës së tij, që është njëherazi historia e Shqipërisë, e cila përsëritet e përsëritet ndër vite.

“Kjo është gjithë demokracia që na trumpetohet, kur themi trumpetohet, shikoje këtë barkun e tij që është si një trumpetë dhe një kockë që është shkopi i trumpetës që përfaqëson një monstër, që nuk ka lidhje me njeriun, që ka fytyrën e një shpendi grabitqar dhe trupin e krokodilit. Të dyja janë kafshë e shpendë që nuk ngopen kurrë me të keqen. Kjo tregon që e keqja është brenda këtij barku, që do të pjellë një të keqe tjetër më mbrapa. Ulur kjo mbi një fron prej kafkash, sepse që të kesh sakrifikuar duhet të kesh ngrënë mish njeriu dhe ideologjia është tek ato gishtat. U premton të gjithë këtyre lakejve që shikon ti këtu, lumturinë, parajsën, mirpo në fakt produkti duket poshtë”, shpjegon autori veprën e vet.

Një mbret me kurorë, froni i të cilit përbëhet nga kafkat e atyre që kanë sakrifikuar për ta ngjitur atë në pushtet, për të cilin në emër të ideologjisë janë gati të bëjnë gjithçka, ndërsa edhe ai nga ana tjetër është i gatshëm për të njëjtin qëllim, por jo për propagandën që proklamon, por për të mbajtur pushetin përjetësisht ndër duar.

“Turmat e ekzaltuara janë këto që shkojnë nëpër mitingje që ulërasin rrugëve, këta militantët një dorë e kanë në jatagan, shpatën e përgjakur, kurse me dorën tjetër i përgjigjen thirrjes direkte të kriminelit të radhës. Këta janë ata që vrasin në emër të atij që vetëm për të marrë këtë kockën që ky ka në dorë dhe nuk e lëshon. Është kategoria tjetër që ulen barkazi pa dinjitet. Lakej të përhershëm që unë i kam bërë edhe qorra se nuk dinë ku shkojnë, por edhe me bisht, sepse nuk kanë logjikë, janë si kafshë”, thotë Agim Rada.

Nën karikaturë, Gim Rada fsheh figura të vërteta të historisë shqiptare.

“Kjo figurë është një femër e bukur me atë sharpin e kuq që është simbol i flamurit tonë kombëtar, ku të gjithë këta që vetëm Shqipërinë nuk e kanë dashur, që nga Koçi Xoxe, të gjitha figurat këtu ngjajnë, janë ministra të Brendshëm aty, janë udhëheqës, përfaqësues të pozitës, të opozitës, por që unë i kam futur të gjithë në një, si të thuash vorbull, sepse asnjëri nga ata nuk e ka dashur vendin e vet”, shpjegon ai.

“Ngutjes së thikës do t’i shtoja jo ngulje thike, por një copëtim që duan t’i bëjnë, t’i hanë mishin Shqipërisë. Të gjitha sa kemi parë kanë qenë njerëz  diktatorë, gjoja edhe demokratë, por diktatorë në përgjithësi, me një model tepër, tepër anadollak bizantin, të cilët kanë pasur qëllimin e vet në jetë që të vrasin në emër të pushtetit, të mbyllin gojën në emër të tij, pushtetit apo të të heqin edhe bukën e gojës duke të të hequr nga puna tani në emër të demokracisë dhe pushtetit”, shton ai.
 
Populli për skulptorin dhe piktorin Agim Rada është si një plak babaxhan, i mendueshëm, me halle plot, që nuk di nga t’ia mbajë. Ritmi i flokëve të tij mplekset me jelet e kalit, një tjetër simbol, që artisti përdor për emërtimin e shqiptarëve.

Në hingëllimen e tij është thirrja e popullit, që i pafuqishëm për të gjetur zgjidhje, ulërin në drejtim të qiellit me shpresën drejt universit… drejt Zotit.

Top Channel