“E huaj”, një film me metrazh të shkurtër nga regjisori Donard Hasani, është shfaqur premierë për publikun mbrëmjen e së premtes në sallën Black Box të Akademisë së Arteve.

Skenari i fuqishëm i akademikut Shaban Sinani është ai që e bindi regjisorin të shkëputej nga teatri përkohësisht për t’iu kushtuar këtij prodhimi filmik.

“Nga një fakt historik e diskutuam që ishte shumë filmike si ngjarje dhe filluam të mendonim për diçka më tutje sesa kaq. Është një vepër e shmangur nga pjesa politike, merret me njeriun, me fatin  e tij dhe ka të bëjë me emigrantin në përgjithësi, me njeriun pa atdhe”, thotë regjisori Donard Hasani.

Një grua nga Kosova vjen në Shqipëri duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme kufirin, të gjejë një të ardhme më të sigurtë, por në fakt këtu ndodh e kundërta, çka bën që ajo të kthehet në vendin e saj. Është kjo fabula e filmit, që për protagoniste ka aktoren Rozi Kostani.

“Më duhej një personazh, e cila të kishte mundësi të interpretonte në dialekt, sepse personazhi vjen nga Kosova, por të kishte edhe një ngarkesë të madhe emocionale. Rozi është pikërisht natyra e personazhit që i shkonte më shumë këtij roli dhe një element tjetër i çuditshëm është që duhet ta përballonte edhe fizikisht, sepse një pjesë e xhirimeve janë bërë në borë dhe janë shumë të vështira”, sqaron regjisori Hasani.

Top Channel