“Colours of Albania”, konkursi për promovimin e Shqipërisë

12/06/2017 00:00

Për të tretin vit radhazi, Ministria e Punëve të Jashtme ka çelur konkursin “Colours of Albania”, një konkurs që synon promovimin e Shqipërisë në të gjitha format.

“Është një nismë në kuadër të diplomacisë digjitale, e cila këtë vit bëhet në bashkëpunim me Ambasadën e Norvegjisë dhe British Council, një nismë që fton të gjithë qytetarët, shqiptarë dhe të huaj që të bëhen diplomatë digjitale dhe të promovojnë Shqipërinë ashtu siç e shohin ata”, shprehet Donika Hoxha, Drejtore e Diplomacisë Publike, MPJ.

Personazhe të njohur i janë bashkuar nismës promovuese.

“Çdo moment i jetës, çdo shijim i saj në Shqipërinë tonë është një moment për t’u fiksuar nga objektivi, qoftë edhe i telekamerës së celularit dhe për t’u postuar në rrjetet sociale me hashtagun “coloursofalbania”, ngjyrat e Shqipërisë. Të vjen mirë kur shikon njerëz të të gjitha moshave që kanë dëshirën e madhe që çdo moment ta përjetësojnë në fotografi e në të njëjtën kohë ta bëjnë këtë duke promovuar çdo gjë të Shqipërisë”, thotë Donika Hoxha.

Të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e konkursit mund të postojnë fotot e tyre deri në datën 15 qershor. Pas mbylljes së konkursit juria e përbërë nga fotografë profesionistë do të përzgjedhë 10 fotot fituese, ku 3 më të mirat do të vlerësohen edhe me çmime.

Top Channel