Sahati i Beratit po rindërtohet

08/06/2017 00:00

Në lagjen e vjetër të Beratit, që dikur njihej me emrin “Murat Çelepia” ka filluar puna për  rindërtimin e  “Kullës së Sahatit”.

Objekti i vitit 1667, pothuaj u shkatërrua gjatë periudhës së komunizmit.  Me një fond prej 50 milionë lekësh, bashkia do të rikthejë “Kullën e Sahatit” në pamjen e mëparshme duke u bazuar mbi fotot e vjetra.

“Kulla nga niveli ku jemi do të jetë 25 metra e lartë. Kjo është vetëm për fazën e parë, faza e dytë do të jetë mekanizmi, që është ora dhe për ta kthyer këtë lagje si qendra e dytë, ose e tretë e Beratit pas qendrave të tjera”, thotë kryetari i Bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj. 

“Të mrekullueshme” e quan udhëtari Evlia Çelebiu, Kullën që ndodhej brenda tregut të vjetër. 25 metra, me një orë të sjellë nga Transilvania e një këmbanë brenda së cilës mund të qëndronin 10 vetë.

Tingujt e saj mund të dëgjoheshin deri në fshatrat e Beratit. Rindërtimi në bazë të origjinalit pritet të përfundojë brenda një muaji.

Top Channel