Në gjurmët e “babait”

05/06/2017 00:00

Ata u frymëzuan prej mjeshtrit Çesk Zadeja në çdo kompozim, duke ecur në gjurmët tij, “babait” te muzikës shqiptare e themeluesit të sinfonizmit shqiptar.

Kompozimet e tyre bashkohen në një mbrëmje të përbashkët nën siglën Opera Histori, dedikuar atyre që themeluan TKOB.

“Unë jam student i profesor Çeskut dhe frymëzim më të mirë nuk mund të kisha. Është një ndër përfaqësuesit e parë e më dinjitozë të muzikës sinfonike shqiptare. Është një ndër ata që mendon shqip, flet shqip dhe muzika e tij flet shqip. Për ne është një nder që na luhen veprat në një koncert me të. Çesk Zadeja është një ndër shtampat e muzikës shqiptare”, thotë Isak Shehu, kompozitor.

“Është “Skerzo për orkestër sinfonike” e Thoma Gaqit, “Rondo për dy trompa”e Isak Shehu është muzika e filmit “Liri a vdekje” të Kujtim Laro, është koncerti për piano i profesor Çeskut, vepra premierë “Kantat për Shqipërinë” me tekst të Lasgush Poradecit dhe kompozim të Shpëtim Kushtës. Gjurmët janë pikërisht këta autorë, të cilët janë edhe pjesa më esenciale e muzikës serioze shqiptare”, thotë dirigjenti Edmond Doko.
 
Koncerti do të shfaqet për publikun mbrëmjen e 6 qershorit në skenën e Universitetit të Arteve.

Top Channel