Të njohësh të shkuarën është domosdoshmëri, por të mos e njohësh mbase mund të jetë edhe çliruese. Sidomos kur kjo e shkuar është e mbushur me dhunë dhe diktaturë.

Arti është një mënyrë më pak imponuese se sa studimet për të shplurosur të shkuarën apo zbuluar realitete.

Studentë të rinj të Fakultetit të Arteve të Bukura ekspozuan punët e një konkursi të artit pamor mbi Marrëdhënien me të shkuarën dhe radikalizmin fetar. Konkurs ky I organizuar së bashku me OSBE dhe Ambasadën Italianë.

“Po flasim për studentë të cilët janë rreth 20 vjeç. Dhe periudhën e komunizmit nuk e kanë jetuar direkt ashtu si edhe brezi ynë, por ama ata marrin një informacion nëpërmjet familjeve të tyre. nëpërmjet literaturës, mediave, filmave që shohin nga ajo kohë. Dhe ata kanë një njohje të themi gati telegrafike”, u shpreh Ermir Hoxha, kurator i ekspozitës.

Koka e prerë e Shpatarakut, një grua e mbuluar, një qenie që bombardohet nga propaganda, “Coca Cola” si takim me perëndimin e të tjera punë i bëjnë këta studentë të shprehin vështrimin e tyre mbi informacionet e mara kryesisht nga literatura.

“Arti mund të kontribuojë në krijimin e një dialogu çlirues rreth të kaluarës. Mund të dërgojë larg spektra të ndryshëm ose t’i zbulojë ato. Arti mund të paraqesë si një mekanizëm vendimtar informacione të rëndësishme për mënyrën se si mund të ndihmojë shoqëritë në tranzicion. Unë shpresoj që ky konkurs të kontribuojë sado pak në shkundjen e pluhurit të së shkuarës”, tha ambasadori i OSBE, Bernard Boschard.

“Sot më duhet të them që jam shumë i impresionuar nga punimet e ekspozuara këtu. Si nga tematika, cilësia, ashtu edhe nga kapaciteti i tyre për të na treguar shumë më shumë se sa studimet shkencore. Këto janë tema të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por për çdo vend”, tha ambasadori italian, Alberto Cutillo.

Për secilën nga tematikat do të ketë nga një fitues të zgjedhur nga një bord. Ekspozita me këto punë është e hapur për publikun pranë galerisë FAB.

Top Channel