Gjosha: Shkarkimet në administratë dëmtojnë integrimin

03/06/2017 00:00

Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, përmes një statusi në rrjetet sociale ka denoncuar dëmet që sipas saj po i shkaktohen procesit të integrimit europian.

Në profilin e saj, Gjosha thotë se, procesi i reformave kyçe për integrimin po has në pengesa, që sipas saj vijnë si pasojë e shkarkimeve të papërgjegjshme në radhët e administratës.

“Është për të ardhur keq që një reformë madhore për procesin e integrimit europian të vendit po zhbëhet çdo sekondë, duke shkaktuar jo vetëm një shpërqëndrim të detyrave dhe përgjegjësive që ka administrata, por duke u shoqëruar gjithashtu me mosrespektim të thellë të procedurave ligjore për shkarkimin e çdo punonjësi nga detyra”, ka deklaruar Gjosha.

Statusi i plotë i ministres Gjosha

Është për të ardhur keq që një reformë madhore për procesin e integrimit europian të vendit po zhbëhet çdo sekondë, duke shkaktuar jo vetëm një shpërqëndrim të detyrave dhe përgjegjësive që ka administrata, por duke u shoqëruar gjithashtu me mosrespektim të thellë të procedurave ligjore për shkarkimin e çdo punonjësi nga detyra.

Procesi i integrimit është i qytetarëve, ndaj sot më duhet t’i qëndroj përkrah të gjithë atyre që punojnë me përkushtim për këtë proces. Është njëra anë të ndëshkosh një punonjës të administratës për pjesëmarrje në veprimtari politike dhe është një gjë komplet tjetër të mos respektosh procedurat ligjore për ta liruar atë nga detyra.

Çdo punonjës ka të drejtën e tij të njoftohet për nisjen e procedurave të shkarkimit bazuar mbi faktet, ashtu sikurse ka të drejtën që i jep ligji për të dhënë provat dhe faktet që mund të kundërshtojnë këtë vendim.

Unë kam bindjen se shumë prej tyre do të fitojnë betejën e tyre gjyqësore, duke marrë dëmshpërblimin e merituar, por në të njëjtën kohë mendja më shkon te qytetarët e thjeshtë që do detyrohen të paguajnë këtë dëmshpërblim me taksat e tyre, nga xhepi i tyre. Do detyrohen të paguajnë inatet dhe marrëveshjet e politikës dhe fatkeqësisht edhe padijet e atyre që drejtojnë institucionet tona.

Mungesa e transparencës ndaj qytetarëve, mos respektimi i ligjit dhe vendosja e prioriteteve partiake përpara prioritetit numër një që mbetet qytetari, janë kritere që e kanë penguar Shqipërinë të ecë në rrugën e saj europiane. Uroj të mos ndodh kështu edhe këtë herë, kur jemi fare pranë çeljes së negociatave të vendit!

Top Channel