“Tjetërsimi” i Golemit

02/06/2017 00:00

Ai është një arkitekt-piktor dhe kjo e bën edhe më të veçantë pikturën e tij. E kur krahas arkitekturës i shton edhe elemente të pyllit dhe stilit barok, kurioziteti shtohet gjithashtu për të parë përtej shtresëzimeve që shfaqin 44 kuadrot e artistit Arben Golemi.

“Unë në përgjithësi punoj me cikle. Kur flasim për barokun, kam sjellë disa piktura që kanë të bëjnë me Luvrin, por pa diskutim që baroku është shumë i gjerë. Pylli vazhdon që të jetë një nga ciklet e mia të preferuara, që pasyrohet gjithnjë me pyllin real dhe me pyllin që unë kam në kokë, Berati është një nga laboratorët e mi të përhershëm dhe arkitektura në përgjithësi, veçanërisht arkitektura e qyteteve të vjetra, sepse është ajo që trashëgojmë në fushën e kulturës”, thotë autori.

Lidhjen e tij të fortë me studimet dhe dashurinë për arkitekturën, Arben Golemi e shpërfaq qartazi në pikturën e tij.

“Nuk ka rëndësi nëse janë qytete të mëdha, apo qytete të vogla, rëndësi ka vlera që kanë qytetet dhe çfarë ato përfaqësojnë. Mjeti është ajo që unë kam theksuar në këtë ekspozitë. Unë vij nga arkitektura dhe kam përdorur mjete që i përkasin ndërtimit dhe arkitekturës. Në pjesë e mirë e pikturave e telajove janë të ngacmuara nga rrjeta që përdoret në ndërtim, metalike apo plastike, nga ashpërsia e ngjyrave dhe e formave”, vijon ai.

E ka quajtur “Tjetërsim”, sepse ai sikurse edhe piktura e tij kanë kaluar në gjithë këto vite në shtegun e tjetërsimit duke ndryshuar, por pa humbur individualitetin.

“Tjetërsimi” i Arben Golemit pret vizitorë deri me 23 qershor në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Top Channel