Enveri, “rilindja” dixhitale

02/06/2017 00:00

Materialet e fondit personal të Enver Hoxhës, kryesisht përgjatë viteve 1980-1985, të ndodhura në gjendje harresë në Arkivin Qendror të Shtetit do të digjitalizohen në bashkëpunim me Arkivin Qendror të Filmit. Janë 118 bobina 16 dhe 35 milimetra, që do të kalojnë nëpërmjet një procesi 6-mujor digjitalizimi.

“Bëhet fjalë për materiale, të cilat gjenden në fondin personal të Enver Hoxhës, që janë takime familjare, takime pune, të cilat, një pjesë e tyre nuk janë parë kurrë dhe rrjedhimisht përbëjnë interes të veçantë për studiuesit pavarësisht qasjeve, ideologjisë dhe bindjeve”, shprehet Ardit Bido, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave.

Drejtoresha e Arkivit Qendror të Filmit, Elvira Diamanti u bëri apel të gjitha institucioneve shtetërore që kanë në arkivat e tyre material filmik që ta digjitalizojnë pranë institucionit të vetëm që ka mundësi, që është AQSHF.

“Të gjitha institucionet shtetërore të cilat kanë në arkivat e tyre material filmik që natyrisht nuk e lexojnë dot të vijnë në arkivin e filmit dhe ta rijetëzojnë këtë material”, thotë Elvira Diamanti, Drejtore e Arkivit Qendror të Filmit.

Një pjesë e mirë e këtyre materialeve filmike të fundjetës së diktatorit, nuk janë parë kurrë. Ato vijnë nga ish arkivi i PPSH.

“Do të kemi mundësinë pas gjashtë muajsh të rimblidhemi dhe t’i rishohim të gjitha ato që janë të deklasifikuara, do të jenë të aksesueshme për publikun. Ato që janë të klasifikuara do të ruhen sipas ligjit të informacionit të sekretit shtetëror”, shprehet Bido.

Për çfarëdolloj dyshimi, pyetje, apo edhe akuze të ngritur nga familja Hoxha ndaj Arkivit më herët, sipas drejtuesit Bido do të jenë të qarta pas kësaj marrëveshjeje që i lexon për herë të parë shumicën e këtyre materialeve.

Ky dokumentacion filmik është në pronësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Top Channel