Shkrimtari Shehu: S’na ka dalë e keqja

01/06/2017 00:00

Puna e shkrimtarit kërkon një vetmi të madhe, kreativitet dhe shpesh edhe izolim për të thirrur skutat e kujtesës. Shkrimtarit i duhet kujtesa. Midis saj dhe letërsisë ka një marrëdhënie.

Bashkim Shehu ishte në Shqipëri si kryetar jurie, në dhënien e Çmimit “Kadare” në Razëm, e njëkohësisht folës në konferencën shkencore “Letërsia dhe kujtesa”.

“Duhet dalluar qartë kujtesa individuale, që është kujtesa me të cilën punon shkrimtari, dhe kujtesa kolektive. Sikurse është çështja e instrumentalizimit të kujtesës, ose instrumentalizimit të letërsisë nga ana tjetër. Letërsia nuk është në shërbim të diçkaje, letërsia është vlerë në vetvete”, tha Bashkim Shehu, shkrimtar.

Sipas Shehut, krijuesi duhet të jetë i lirë dhe detyra e tij është vetëm të shkruajë vepra të mira.

“Shkencat kanë funksion analitik, funksion informativ. Letërsia ka funksion poetik. Shkrimtari mundet të dëshmojë për kohën e tij, por edhe mund të mos e bëjë”, u shpreh Bashkim Shehu.

Aktualisht edhe ai shkruan, por nuk e tregon se çfarë.

“Jam duke shkruar një roman, por nuk e them. Asnjëherë nuk e them se çfarë jam duke shkruar. Është edhe bestytni, është sikur do të të prishet një magji, por njëkohësisht ka edhe diçka racionale, sepse po ta them unë, është një premtim që u jap lexuesve. Dhe një premtim, që mbase mund të mos e mbaj dot”, tha më tej shkrimtari.

Shehu ka thënë shumë me veprën e tij për regjimin, dhunën, vdekjen dhe shoqërinë e asaj kohe. Por, shenjë tek ai sot ka lënë edhe sondazhi i disa muajve më parë, sipas të cilit, shumica e mendonin diktatorin Hoxha si ndikues pozitiv në historinë e vendit.

“Jo, njerëzit nuk mendoj se duan të kthehet ajo kohë, të futen në burgje për shprehje mendimesh, apo t’iu merret prona që kanë krijuar. Nuk e duan, por duan diktatorin. Po dhe kjo është për të ardhur keq. Ende nuk jemi çliruar. Unë nuk e mendoja që do të kishte kaq shumë njerëz, sa e nxori sondazhi, dhe kjo është e dëshpërueshme”, tha Bashkim Shehu, shkrimtar.

Top Channel