Frymëzuar nga ministri Demiraj, në skenë “General & Play Boy”

22/05/2017 00:00

Bujar Kapexhiu duket se ka qenë një ogur i mirë për kolonelin e pushuar nga puna sepse kishte udhëtuar jashtë shteti pa leje e që sot është ministër i Brendshëm, Dritan Demiraj.

Ai mendoi që nisur nga kjo të shkruante komedinë “General & Playboy” që e pati premierën në fund të marsit e që mbërriti në shfaqet e fundit. Donte thjesht t’i bënte njerëzit të qeshnin me një absurd të tillë.

“Dhe vjen e çuditshmja sot. Dhe mua akoma më vjen për të qeshur me këtë absurditet. Pikërisht ky njeri, të cilin e pushuan nga puna. Njeri të shquar të ushtrisë sonë sot ai vendoset ministër i Brendshëm. Unë nuk di se si do të komunikojnë këta me njëri tjetrin. Jo vetëm nga ana profesionale. Por mua më shqetëson ana njerëzore. Nga ana shpirtërore…”, shprehet Bujar Kapexhiu.

Sipas tij ndonjë gjë e madhe politikisht nuk ka ndryshuar. Jeta politike këtu ka material boll që kur nuk qajmë dot duhet të qeshim, dhe ai e ndien për detyrë t’i trajtojë me humor.

“Komedia është reale dhe në komedinë që unë shkruajta u bazova në jetë. Në motive të jetës që ndodhin në shoqërinë tonë. Në politikën shqiptare prandaj edhe kjo pjesë ka nuanca politike, sepse spektatori shikon me të vërtetë gjëra që kanë ndodhur”,shtoi Bujar Kapexhiu.

Vetëm se Gjenerali i Kapexhiut, në rol Bujar Asqeriu, përfundon duke shitur revista erotike “Playboy” në fund të shfaqjes.

“Vetë gjenerali i pushuar nga puna. I nxjerrë në lirim para kohe me siguri është shumë i trishtuar, por unë  do të kisha shumë dëshirë që ai të vinte ta shikonte shfaqen dhe bashkë me spektatorët të qeshte”, Bujar Kapexhiu.

Top Channel