Shkodër, “arrest me burg” ish-shefit të ALUIZNI-t

19/05/2017 00:00

Me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata e këtij rrethi ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-drejtorin e ALUIZNI-t të qytetit, Ardian Dodani.

Dodani dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” me legalizimin e objekteve informale, kryesisht lokale dhe ambjente të tjera tregtare. Ai u arrestua mesditën e sotme nga forcat e policisë.

Nga hetimet e Prokurorisë së Shkodrës ka rezultuar se në të paktën 5 raste, kryesisht të vitit 2015, ish-drejtori i ALUIZNI-t ka shkelur kuadrin ligjor që rregullon procesin e legalizimit të objekteve informale.

Në praktikat e legalizimeve, të cilat janë sekuestruar në kuadër të hetimit, Prokuroria e Shkodrës ka evidentuar se me firmën e Dodanit janë legalizuar objekte tregtare, kryesisht bare e restorante, pranë rrugëve kryesore ose në zonën turistike të Shirokës, ku nuk lejohet legalizimi.

Gjithashtu, Dodani rezulton i vetmi që ka nënshkruar praktikat për legalizimin e këtyre subjekteve, ndërsa zyrtarë të tjerë të ALUIZNI-t, të cilët ishin ngarkuar me përgjegjësi administrative, jo.

Top Channel