Rama: PS, 71 mandate. Ministrat e PD do të jenë kujdestarë

19/05/2017 00:00

Nga Korça, Edi Rama ka shpjeguar në mënyrën e tij marrëveshjen e firmosur me Lulzim Bashën.

“Se çfarë do të ndodhë pas kësaj marrëveshje, atë e dini ju. LSI forcë e parë, PD forcë e parë edhe ne forcë e parë. Por meqenëse ne jemi të parët, duam jo vetëm të parët por ta fillojmë me 71 vota për PS”, tha Rama.

Ai iu përgjigj edhe zërave kritikë teksa ka sqaruar se PD vetëm do të propozojë, por vendimet i merr Rama.

“Nuk besoj se e ha njeri, që ne iu kemi dorëzuar qeverinë, që ne kemi ndarë qeverinë me ta, apo që ata, siç thotë miku im i orëve të fundit, Lulëzimi, ata kanë rrëzuar gjysmën e qeverisë dhe për 30 ditë do rrëzojnë gjysmën tjetër. Këta do jenë vetëm kujdestarë që s’do bëjnë as tendera, as emërime, as celebrime. Për të vendosur do vendos unë, por ata thjesht do propozojnë, do jenë kujdestarë”, tha Rama.

Rama theksoi se marrëveshja siguron që pas zgjedhjeve, asnjë nga palët nuk do të ketë kundërshtime për rezultatin. “Nuk ka më llafe pastaj, jo na i vodhën, jo na i morën”, u shpreh Rama.

Për kryeministrin, marrëveshja ka një pikë të rëndësishme, institucionalizimi i saj, që do të thotë se me Lulzim Bashën do të vijojë të ketë takime periodike, për të cilat nuk do të detyrohen ndërkombëtarët që të jenë negociues.

“Gjëja më e rëndësishme e marrëveshjes është se ia arritëm ditës që ndërkombëtarët të vijnë këtu thjesht për të na takuar e jo për të na ndihmuar. Ndërkohë që sot, duke qënë përfaqësues të këtij populli, jo vetëm kur të mos ketë dakordësi, që të na vijnë e që të na thonë mere mo se është i mirë, shihe nusen se është e mirë, do të kemi një dialog institucional, periodik mes kryetarit të qeverisë dhe kryetarit të opozitës”, shtoi Rama.

Top Channel