Problemi teknik ndërpret filmin e “Netflix”, “Okja”

19/05/2017 00:00

Shfaqja e filmit “Okja” të rrjetit “Netflix” në Festivalin e Kanës u ndërpre në minutat e para të transmetimit, për shkak të një problemi teknik.

Filmi, ku interpretojnë dy emra të njohur të “Hollywood”-it, Tilda Swinton dhe Jake Gyllenhaal, ishte shoqëruar në çelje me vërshëllima nga një pjesë e audiencës, kur që në fillimin e tij, në ekran u shfaq logoja e “Netflix”-it.

Pas kësaj nisi ngadalë të vërehej se diçka nuk ishte në rregull me të. “Okja” është rrethuar me polemika të mëdha, për shkak se kompania amerikane e argëtimit ka refuzuar ta shfaqë në kinematë franceze.

Në zemër të konfliktit qëndron një ligj, i cili kërkon përqindje nga fitimet në kinema, DVD, video të prodhura me porosi, si dhe të ardhura televizive apo “streaming”.

Gjiganti amerikan nuk deshi të ishte pjesë e sistemit francez dhe një pjesë e industrisë vendase të filmit mbeti e fyer nga qëndrimi i tij.

Filmi koreano-jugor i zhanrit aventurë rrëfen historinë e një vajze të quajtur Mija, e cila përpiqet të parandalojë rrëmbimin e mikut të vet më të mirë, një derri të madh me emrin “Okja”, nga një kompani shumëkombëshe.

Në deklaratën e nxjerrë nga organizatorët e Festivalit të Kanës thuhet se, përgjegjësinë e plotë për incidentin e mban shërbimi teknik i festivalit, i cili i ka paraqitur apologjinë e tij regjisorit, producentëve dhe publikut.

Top Channel