Iran, votohet për presidentin dhe marrëdhëniet me Perëndimin

19/05/2017 00:00

Iranianët u janë drejtuar kutive të votimit në zgjedhjet presidenciale, të cilat pritet gjerësisht që të përcaktojnë jo vetëm presidentin e ri, por edhe marrëdhëniet me Perëndimin.

Presidenti aktual, 68-vjeçari Hassan Rouhani po garon për një mandat të dytë dhe përballet me 3 rivalë. Rouhani, një klerik i moderuar, pikërisht njeriu që negocioi marrëveshjen bërthamore me fuqitë e mëdha në vitin 2015, pritet të jetë fituesi, por gara është mjaft e ngushtë.

Sfidanti kryesor i Rouhanit është Ebrahim Raisi, një klerik 56-vjeçar dhe ish-prokuror, një aleat i afërt i Ajatollahut Ali Khamenei. Nëse askush prej kandidatëve nuk kalon 50% të votave, një raund i dytë do të zhvillohet javën e ardhshme.

Statistikat thonë se, që prej vitit 1985, çdo president iranian që ka kërkuar një mandat të dytë ia ka dalë mbanë ta marrë atë. Udhëheqësi shpirtëror i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, i cili votoi herët në mëngjes, u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në këto zgjedhje të rëndësishme.

Më shumë se 54 milionë njerëz kanë të drejtë vote në Iran. Qendrat e votimit, 63.500 të tilla, duhet të mbyllen në orën 18 të pasdites, sipas orës lokale, por në të shkuarën janë mbajtur hapur më gjatë për shkak të pjesëmarrjes masive të votuesve.

Top Channel