Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee paralajmëron se, Rusia i ka rritur përpjekjet e saj për të ndikuar mbi politikën në Ballkan.

Duke folur para nënkomitetit të Kongresit për Marrëdhënie me Jashtë, zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit tha se, shumë vende të Ballkanit, si Shqipëria dhe Mali i Zi, duan integrim më të thellë me Perëndimin dhe Uashingtoni i mbështet ato plotësisht.

“Por Moska, – shtoi Yee, – po përpiqet ta frenojë një gjë të tillë me mjete financiare dhe politike”, duke e përkufizuar këtë si “ndikim malinj” të Rusisë në Ballkan.

Ai theksoi se një qendër humanitare ruse në Nish të Serbisë synon ndikimin në formimin e opinionit publik. Zyrtari i lartë amerikan shtoi se, Moska po përpiqet të nxisë edhe Republikën Srpska të ndahet nga Bosnje-Hercegovina.

Në seancën e dëshmisë, me temën “Maqedonia dhe kriza në Ballkan”, janë paraqitur për të pranishmit foto të rrahjes brutale të deputetit Ziadin Sela në Kuvendin e Maqedonisë, mbrëmjen e 27 prillit.

Ish-kongresmeni, Joe DioGuardi e dënoi ashpër dhunën ndaj deputetit shqiptar. Përveç tij, me kongresmenët foli edhe Sekretari i Përgjithshëm i “LR-PDSH”-së, Arben Taravari, i cili ishte pjesë e kësaj seance tradicionale, e organizuar nga Kongresi dhe prania e vazhdueshme e DioGuardit.

Top Channel