“Flauti Magjik” në skenën e Universitetit të Arteve

14/05/2017 00:00

Pas 51 vitesh, Teatri Kombetar i Operas dhe Baletit rikthehet në shtëpinë e parë të Operas shqiptare, sot Universiteti i Arteve. “Flauti magjik” vendoset premierë në këtë skenë, të parën dedikuar operas shqiptare, por kjo nuk është risia e vetme.

“Në këtë rikthim jam e lumtur, sepse kemi kombinuar dy stafe: stafin e artistëve të karrierës dhe artistët e rinj, të cilët i kemi zbuluar në Akademinë e Arteve. Vijmë me dy interprete të rinj në rolin e Sarastros dhe Mbretëreshës së Natës dhe mendoj që kjo rivënie do të sjellë një mbrëmje vërtetë të suksesshme”, u shpreh Zana Çela, drejtore e TKOB.

“Sigurisht ndihem më shumë se e lumtur. Pamina është një nga rolet që unë e kam mësuar dhe erdhi momenti që ta debutoj, për më tepër që është një rol fatsjellës për mua, duke qenë se e kam debutuar në teatër, e do ta debutoj në skenat e Italisë. Fitova konkursin në Itali pikërisht me këtë rol. E këndoj me shumë dashuri. Është debutimi I parë jashtë Shqipërisë pikërisht me Paminën”, tha sopranoja Enkelejda Kamani.

“Vërtetë e kam një ndër rolet më të suksesshme të karrierës sime, por këtë herë vjen ndryshe, sepse vjen nën petkun e një personazhi me një kostumografi tjetër. Vjen një ‘Papageno’ po ashtu me pupla, duke sjellë përafërsisht ndoshta identikitin e njeriut, I cili dashuron zogjtë, natyrën, siç jam edhe unë Papageno”, shprehet baritoni Armando Likaj.

Opera histori nis mbrëmjen e 15 majit, për të vijuar edhe më 16 dhe 17 maj, me magjinë e flautit në skenën e Universitetit të Arteve.

Top Channel