“Lukrecia Borxhia” në Tiranë

12/05/2017 00:00

“Jetojmë në një kohë ku njerëzit kryejnë aq shumë akte të tmerrshme” këto janë fjalët e para të Lukrecia Borxhias, kryeveprës në prozë të Viktor Hygosë. Eric Vigner do që nëpërmjet penës gjeniale të Hygosë t’i flasë edhe Shqipërisë.

Nëpërmjet një teatri të mrekullueshëm klasik, ai është një krijues në çdo element në skenë të shfaqjes “Lukrecia Borxhia”, në këtë rikthim pas një dekadë në skenën shqipe pas “Berberit të Seviljas”.

“Mesazhi i Viktor Hygo është përmbledhur në fjalët: Ne kemi të drejtë të interesohemi për katastrofat e kohës sonë. Këtu është shpirti republikan francez. Liri, barazi, vëllazëri dhe unë i sjell këto mesazhe nëpërmjet shkrimtarit më të madh popullor të vendit tim. Pamundësia e të rinjve për një të ardhme më të mirë. Kjo mund të ndodhë kudo”, shprehet Eric Vigner, regjisor.

Ai zgjedh një grua që zotëron skenën, si protagonistë, Luiza Xhuvani, që ka veshur petkun e Lukrecia Borxhias. Nën një dashuri utopike dhe me epsh për djalin e saj Xhenaro. Dhe pastaj mes krimit, incestit, helmit dhe tiranisë së një gruaje hakmarrëse. Në çift me të, në një kalibër, qëndron Artan Imami në rolin e Don Alfonsit dhe Xhino Musollari në rolin e Xhenaros.

Për mua është një personazh i jashtëzakonshëm. Me përmasa të tilla nuk kam interpretuar deri më tani”, shprehet Luiza Xhuvani, aktore.

“Nuk kisha më absolutisht asnjë lloj hezitimi. Për t’ia rrëmbyer me një dhunë të ëmbël rolin e Don Alfonsit”, thotë Artan Imami, aktor.

“Ka ndikuar shumë pozitivisht në progresin tim profesional”, tha Xhino Musollari, aktor.

Në pesë skenografi të ndryshme, një prej të cilave stema e flamurit shqiptar, por edhe motive shqiptare në kostumografi, publiku ka mundësinë të shohë në skenë një teatër, që i referohet jo vetëm historisë politike të Francës të shekullit XIX. Kjo shfaqe do të luhet në Paris në nëntor, për të parën herë nga një trupë shqiptare.

Top Channel