1.5 mln euro nga Kina për TKOB

09/05/2017 00:00

1.5 mln euro ka dhuruar Republika Popullore e Kinës për rindërtimin e Teatrit të Operas. Ky grant do të përdoret për dhurimin e pajisjeve në zbatim të punimeve të fazës së parë të rikonstruksionit të TKOB e Ansamblit Popullor.

“Jam shumë e gëzuar që sot, së bashku me ministren Kumbaro po nënshkruajmë këtë marrëveshje. Është një marrëveshje që kurorëzon një ëndërr të madhe që kemi pasur prej një kohe të gjatë. Kultura është shkëmbim i natyrshëm mes dy vendeve. Dhurimi i pajisjeve që do të përdoren për rikonstruksionin e TKOB vjen si rezultat i traditave miqësore afatgjata që synojnë të nxisin një bashkëpunim edhe më të mirë në të ardhmen”, tha në fjalën e rastit ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Jiang Yu.

“Në takimin shumë të suksesshëm që pata me ministrin kinez të Kulturës, me të cilin ramë dakort që nuk do të ishte vetëm një marrëveshje kuadër, por një marrëveshje me produkte konkrete, ku kryefjala do të ishte mbështetja që qeveria kineze i jep Shqipërisë nëpërmjet grantit të saj për një pjesë të financimit të rikonstruksionit të TKOB, që sot bëhet realitet përmes firmosjes së kësaj marrëveshjeje për fazën e parë në shumën e 1.5 mln euro”, deklaroi ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Grantit të parë do t’i shtohet edhe një i dytë në vlerën e 500 mijë eurove, i dedikuar totalisht për rikonstruksionin e TKOB.

Top Channel