Orgocka kërkon “Pallatin”

07/05/2017 00:00

Edhe pse kanë kaluar 5 muaj nga dita kur Pallati i Kulturës “Dhimitër Orgocka” ne Maliq u shkrumbua si pasojë e një shkëndije elektrike , ende nuk ka asnjë shpresë për rikthimin e tij.

Pas djegies, Bashkia e Maliqit ka bërë gati projektin për rikthimin e kësaj godine, por ende nuk janë siguruar financimet që do ta rikthenin atë në funksion.

Ndërtesa mban emrin e artistit të njohur Dhimitër Orgocka, por për të, privilegji i disa viteve më parë kur u vendos ky emër, shoqërohet tani me brengën se a do të mund ta rishohë këtë ndërtesë me gjallërinë e dikurshme.

“Tani Maliqi është bërë një Bashki e Madhe. Këtu do të shtoja patjetër me kënaqësi, por edhe me hidhërim faktin që predispozicioni dhe dëshira e maliqarëve dhe të trevave përreth mezi pret që Pallati i Kulturës të vihet në jetë. Po të më pyesnit mua personalisht do të thosha: Nuk e di a do të mundem dot të jetoj aq gjatë për ta parë Pallatin e Kulturës për që të hapë dyert për zhvillimin e Kulturës dhe Artit. Siç kishte filluar  me një përparësi serioze jeta këtu në Maliq”, shprehet Dhimitër Orgocka.
   
Pallati i Kulturës në Maliq u dogj si pasojë e një shkëndije elektrike në muajin dhjetor ndërsa për 62 vite radhazi atje janë organizuar një larmi aktivitetesh artistiko-kulturore.

Top Channel