“Zarzuela” mbërrin në Tiranë

03/05/2017 00:00

Një shfaqje jashtë kontureve të Teatrit të Operës, bazuar mbi repertorin më të bukur të të famshmëve “zarzuelava” spanjolle do të shfaqet për publikun mbrëmjen e 6 majit në Katedralen e Kishës Ortodokse.

Kjo formë teatri muzikor, ku ndërthuret muzika, kënga dhe instrumentet do të testohet për herë të parë e nëse do të rezultojë e suksesshme do të përfshihet në kalendarin artistik të vitit të ardhshëm.

“Ne duam që Zarzuela spanjolle të jetë në programacionin e vitit 2018-2019, në programacionin e kalendarit të Teatrit të Operës. Mendojmë që publiku do të pëlqejë dhe shpresojmë që edhe solistët tanë të jenë futur në karakterin e këtyre pjesëve kaq pasionante”, shprehet Zana Çela, Drejtore e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

E kush më mirë se sa një dirigjent spanjoll, i cili është rritur me këto këngë, do të mund të drejtonte këto materiale muzikore?

“Është hera e parë që vij me këtë repertor, por nuk është hera e parë që dirigjoj orkestrën e këtij tetari. Është një nga repertorët më të mirë që unë mundëm të përfaqësoj pasi është pjesë jo vetëm e formimit tim, por edhe e kulturës sime. Shumë nga këto janë këngë që unë i dëgjoja kur isha i vogël, ndaj mund të sjell shumë më shumë ngjyra në këtë shfaqje se sa do të mund të sillnin të tjerë dirigjentë. Mendoj se ka për të qenë një koncert i paharrueshëm”, shprehet Ricardo Casero, dirigjent.

Nëse testi kalohet me sukses, “zarzuelat” spanjolle do të ‘udhëtojnë’ nëpër Shqipëri.

“Ne mendojmë që ky është një format koncerti, i cili do të udhëtojë nëpër ambiente të ndryshe, nëpër teatro të ndryshme, por njëkohësisht edhe nëpër sheshe. E fillojmë tashmë që koha është ngrohur dhe do ta vazhdojmë edhe në muajt në vazhdim ta japim në ‘open air’ apo në teatrot e qyteteve të tjera”, thotë Zana Çela.

Top Channel