“South Outdoor Festival”

01/05/2017 00:00

Për tre ditë dhe tre netë, pllaja që gjendet në 800 metër lartësi në Pilur, mblodhi rreth 1000 të rinj shqiptarë dhe të huaj në një aventurë të vërtetë malorë, si për të treguar se jugu i Shqipërisë nuk ka vetëm detin, por shumë më tepër për të zbuluar.

Ngjitja për në vëndndodhjen e festivalit është e vështirë për shkak të infrastrukturës rrugore. Por kjo nuk i pengoi të rinjtë, madje edhe familjarë me fëmijë të jenë pjesë e aventurës. Të tjerë shmangën lëvizjet e shpeshta në terrenin e vështirë, duke fjetur në çadra.

“Po zbavitemi, ka shumë aktivitete. Dje bëmë zhytje, pastaj erdhëm në kamping ku gjetëm spektakël dhe muzikë. Jetoj në Tiranë sepse studioj aty, nuk kam parë shumë vende, por jam kurioze ta shëtis Shqipërinë, sepse nuk më ka zhgënjyer deri më tani”, thotë një vajzë italiane.
 
Disa shijuan natyrën bujare në shoqërinë e njëri-tjetrit, duke provuar ushqimet e zonës, apo duke vizituar Panairin e Artizanatit, kurse më të guximshmit zgjodhën sportet e shumta që nga “mountainbiking”, “Jeep safari”, Scuba diving, ecje, apo ngjitje në mal.

“Jam nga Britania! Është hera e parë që vij në Pilur, por jo në Shqipëri, sepse kam parë Veriun. Duhet të ketë më shumë aktivitete si ky sepse potenciali i Shqipërisë është tek natyra. Njerëzit janë të ngrohtë, po qëndrojmë në fshat, vend shumë i mirë për të qëndruar disa ditë”, thotë një turist britanik.

Mbrëmja i mblodhi sërish të rinjtë në të njëjtin vend, në një festë me këngë dhe valle ku nuk mungoi muzika shqiptare.

Festivali që synon të kthehet në traditë të përvitshme, shërbeu këtë herë edhe si çelja zyrtare e sezonit turistik të Himarës.

Top Channel