Formula 1 në Rusi, Ferrari dominon dhe provat e treta të lira

29/04/2017 00:00

Ferrari vazhdoin të komandojë në pistën e Sochit në Çmimin e Madh të Rusisë në Formula 1.

Pilotët e Kokëkuqes italiane Sebastian Vettel e Kimi Raikkonen dominuan edhe sesionin e tretë të provave të lira duke zënë 2 vendet e para.  Ishte Vettel ai që u paraqit më mirë se çdo kush tjetër në këtë sesion provash duke e përshkuar pistën me kohën 1 minutë 34 sekonda e 1 të mijëtat, ndërkohë që finlandezi ishte 3 të dhjetat më shumë se 4 herë kampioni i botës.

Vendi i tretë ishte për një tjetër pilot finlandez, Valtteri Bottas me Mercedes që la pas shpatullave shokun e tij të skuadrës, britanikun Lewis Hamilton. Shumë më prapa ishte piloti i Red Bull, Max Verstappen në vendin e pestë, ndërsa Massa u rendit i gjashti.

Më keq shkuan gjërat për Ricciardon që i mbylli këto prova në vendin e tetë për shkak edhe të disa problemeve të shfaqura me makinën e tij.

Top Channel