“Femme Art” në pritje të festivalit

26/04/2017 00:00

Jo gjithçka përligjet në emër të feminizmit. Dhe nuk është kjo arsyeja madhore që bën bashkë gratë. Këtë e theksuan në një takim, gra profesioniste në fusha të ndryshme të kulturës si: regji, aktrim, muzikë, antropologji, arte pamore, gazetari.

Shkak ishte edicioni i V të “Femme Art” në Kosovë, si festivali më i madh feminist në Ballkan, i cili këtë vit do të mbahet gjatë datave 25-31 Maj.

“Gjatë katër edicioneve të kaluara, festivali më i madh rajonal ka arritur të përmbush qëllimin e tij për të krijuar një atmosferë inspirimi, ku artistet dhe aktivistet nga mbarë bota të ndihen të mirëpritura për ta shfaqur artin e tyre, të frymëzuara nga tema shoqërore dhe të drejtat e njeriut në Kosovë e më gjerë”, u shpreh Zana Krasniqi, organizatore e “Femme Art”.

Në këtë diskutim disa nga të ftuarat shprehën rëndësinë e grave, si forcë e vërtëtë për të konkurruar denjësisht burrat nëpërmjet cilësisë së veprimtarisë së tyre. Por edhe të jenë më active në vendimarrje.

“Cilësia jonë të jetë e pakonkurrueshme, me burrat mundësisht edhe më e mirë. Unë si shkrimtare që jam, vërej që ka një shpërthim botëror të grave shkrimtare”, shprehet Vera Bekteshi, shkrimtare.

“Shumë e rëndësishme që në vendimmarrje të ketë femra, sepse janë shumë të rëndësishme këto lloj diskutimesh”, shprehet Iris Elezi, regjisore.

Disa nga temat e festivalit “Femme Art”për këtë vit do të jenë: të drejtat e njeriut, të të drejtat LGBT, fuqizimi i grave dhe vajzave, shkëmbimi i përvojave të suksesshme në rajon dhe globalisht etj.

Gjatë edicioneve të kaluara, festivali arriti të tërheqë një audiencë të madhe, me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të mbi 400 personave/ artistëve/ aktivistëve.

Top Channel