Ai është një nga njerëzit e paktë që ka lidhjen më të veçantë me gurin, madje Gëzim Hidri thotë se është bërë skllav i tij prej vitesh.

Edhe pse do të mbaronte studimet për pikturë, peneli dhe ngjyrat nuk do të ishin pasioni i madh i Gëzim Hidrit. Delikatesën e telajos ai e zëvëndësoi me gurin e rëndë, ndërsa penelin me daltën dhe çekiçin. Por si gurgdhendës Gëzim Hidri do të realizonte vepra të mrekullueshme.

“Më ka tërhequr gjithmonë guri, se për mua është kocka e tokës, diçka që duhet t’i japësh vlerë, ta respektosh. Guri mbetet një mbiemër dhe vetëm atëherë kur e punon dhe skalit atë, atëherë merr emrin përkatës”, thotë Gëzimi.

Për Gëzimin guri ka një domethënie dhe kuptim të madh. Teksa punon gurin ai gdhend mendimet dhe ndjenjat e tij dhe çdo punim fsheh në vetvete një histori.

“Një nga veprat është melodia e shekujve. U mundova të konceptoj veshin e Davidit, por në një dimenson shumë të madh. Nga veshi i Davidit doli një harpë shumë e madhe dhe të gjitha kunjat e harpës plotësojnë 20 shekuj, kurse shekulli i 21 është vrimë, sepse duhen akoma 83 vjet që të plotësohet ky shekull”, rrëfen ai.
Me gurë natyralë të marrë nga e gjithë bota dhe rrallë herë përdor edhe me mermer, Gëzimi do të krijonte Mbretin Luan, Sfinksin, Hipokratin, Kameleonin, breshkën etj.

“Që në momentin kur e shikoj, e konceptoj çfarë ndodhet brenda atij guri. Më jep natyra një imazh se për çfarë mund të jetë ky gurë”, shton ai.

E gjetëm Gëzimin duke punuar në veprën e tij të radhës, edhe pse ende e pambaruar ne mësuam kuptimin e saj.

“Është një gur i zi, që për mua, sado i fortë që të jetë, ka efektet e veta. Është teknika e daltës që përdor edhe tek guri, dua të mbaj të lëmuar, fillon dhe nxihet dhe merr atë ngjyrën e vet duke thënë atë siluetën e vetë shqiponjës”, vijon më tej artisti.

Por në rrugën e tij të ndërthurur më gruë, Gëzimi ka krijuar edhe botëkuptimi interesante të cilat sipas tij qëndrojnë.

Por Gëzim Hidri u bë skllav i gurit dhe për të mos humbur as pjesëzat më të vogla të tij filloi të ndërtojë mozaikë. 9 Vjet e 9 muaj do ti merret supermozaiku që në qendër të tij mban emblemën e skuadrës angleze Çelsit dhe presidentit të saj Abramoviç. Por Gëzimi nuk është tifoz I Çelsit.

“E nisa me një copë, një numër, një mendim dhe e mbarova me një mendim, me një numër dhe një copë”, kujton ai.

Por ky mozaik ka marrë edhe pjesë nga trupi i vetë autorit. Një dhëmballë e Gëzimit qëndron brenda këtij mozaiku bashkë me 120 mijë copëza guri, ndërsa vetë autori thotë se ka lënë ADN e tij.

Top Channel