Rusi, vriten dy persona në zyrat e FSB-së

21/04/2017 00:00

Shërbimet federale ruse të Sigurisë thanë se një person i armatosur kishte hyrë në një nga zyrat e tij në lindje të vendit dhe kishte hapur zjarr, duke vrarë një punonjës dhe një vizitor.

Ndërkohë, një tjetër vizitor ishte plagosur në incidentin e shënuar në zyrat e “FSB”-së në rajonin e Khabarovskut, në afërsi të Kinës.

“FSB”, organizata që ka pasuar “KGB”-në sovjetike, tha se agresori ishte vrarë.

“Një person i panjohur hyri në zyrat e FSB-së në rajonin Khabarovsk dhe filloi të qëllonte kundër njerëzve të pranishëm”, njoftoi “FSB” në një deklaratë.

Rrugët përreth zyrave të “FSB”-së u mbyllën nga forcat e policisë, duke bllokuar trafikun e duke ndaluar kalimtarët. Agresori ishte një banor vendas, i lindur në vitin 1999, që i përkiste – sipas agjencisë së lajmeve “Tass”, e cila citonte një zyrtar të “FSB”-së, – një grupi nacionalist.

Vizitori i vrarë dhe ai i plagosur ishin nga ish-republikat sovjetike jashtë Rusisë, sipas shërbimeve të sigurisë. Rusia, kohët e fundit është tronditur nga sulmi kamikaz në metronë e Shën Pjetërburgut, ku humbën jetën 16 persona. Agresori dhe bashkëpunëtorët e tij ishin nga Azia Qendrore, gjë që i bën grupet e të drejtave të njeriut të druajnë se mund të shkaktojë një përplasje.

Top Channel