Rruga te “Kodra e Priftit”, Veliaj: Fushata nuk do ndikojë në punën e bashkisë

21/04/2017 00:00

Me fokusin tek puna e përdishtme, bashkia Tiranë ka nisur ndërtimin e rrugës “Dalip Topi” në zonën e njohur si “Kodra e Priftit”.

“Bashkia e Tiranës ka një moto: Çdo ditë nga një punë konkrete. Puna konkrete për ditën e sotme është rruga “Dalip Topi”, thaVeliaj.

Veliaj tha se bashkia është e vendosur për urbanizimin e të gjithë zonave të Tiranës.

“Nga ky moment nuk ka më improvizime të tipit, secili murin e vet, secili kanalin e vet të ujërave bardha, të ujërave të zeza, secili një gropë septike apo një pusetë të shpikur aty për aty. Sot të gjitha bëhen me një standard dhe parimi është që, pasi ke ardhur në Tiranë, do të luash me rregullat e qytetit”, tha ai.

Për Veliajn investimet e kryera i kalojnë të gjitha ato që janë bërë katër vjeçarin e mëparshëm por e mira s’ka fund dhe çdo qytetar duhet të jetë i sigurtë se shumë shpejt bashkia do jetë në të gjitha zonat me investime konkrete.

“Dua t’i garantoj qytetarët, se pavarësisht se qyteti, ashtu si e gjithë Shqipëria, do të hyjë në fushatë zgjedhore, kjo nuk do ndikojë aspak në punën e Bashkisë së Tiranës. Siç kemi punuar çdo ditë me një punë konkrete, kështu do të vazhdojmë gjatë gjithë kësaj periudhe, teksa përgatisim kopshtet, çerdhet, shkollat për fillimin e vitit të ri akademik”, tha më tej Veliaj.

Në javët në vijim do të hapet sheshi “Skënderbej”, Bulevardi i ri, dhe bashkia do të vazhdojë me investimet madhore, pa lënë mënjanë edhe lagjet e periferinë.

“Nuk ka rëndësi nëse je në këtë anë të Tiranës urbane po në anë tjetër, rurale. Të gjithë meritojnë të njëjtin standard nga periferia deri në qendër”, tha më tej kreu i bashkisë.

Top Channel