Rama me të rinjtë në Kukës. Parafushata e PS, me reformën në drejtësi

21/04/2017 00:00

Nga Kukësi, kryeministri Edi Rama i dërgoi një mesazh të gjithë të rinjve që votojnë për herë të parë.

“Kur të mendoni 18 qershorin dhe kur të mendoni që për herë të parë në jetë keni një votë mendoni pak sa nëna janë veshur me të zeza dhe sa kriminelë që u kanë vrarë fëmijët i kanë shpëtuar drejtësisë për shkak të gjykatësve të korruptuar. Me votën tuaj pushojini nga puna gjykatësit e korruptuar”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë kishte një mesazh edhe për të rinjtë demokratë. “Partia ku prindërit e tyre besuan dhe ku ata duan të besojnë është ngujuar në një çadër jo për lirinë, jo për demokracinë, jo për atë “republikën e re” të ëndrrave në beze, por është ngujuar në një çadër sepse ka frikë nga drejtësia”, tha Rama.

Rama, nga Kukësi thumboi dhe Sali Berishën. “U desh të bëhesha unë kryeministër, u desh të fitonte Partia Socialiste që qendra e Bashkisë së re të Tropojës, Bajram Curri, të hiqte nga kurrizi pluhurin e një harrese 25-vjeçare”, tha Rama.

E në fund, Rama e mbylli me një paralelizëm nga futbolli. “Juvja dhe Barcelona mund të na ndajnë për 180 minuta, edhe ata të Barcelonës nuk duhet të mërziten fare se në fund fare ata kanë Neymar. Imagjinoni ata që kanë Lulin”, shtoi Rama.

Top Channel