Mark Frroku dënohet me 7 vite e gjysmë burg

21/04/2017 12:45

Ish-deputeti Mark Frroku dënohet me 7 vjet e 6 muaj burgim. I tillë ka qenë vendimi i marrë mesditen e së premtes nga Gjykata e Tiranës, e cila e gjeti fajtor Frrokun për 3 akuza, por jo për atë të vrasjes, që ishte edhe akuza më e rëndë.

Sipas vendimit të trupit gjykues, kryesuar nga Klorinda Çela, Mark Frroku u shpall i pafajshëm për akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit në vitin 1990, në Belgjikë. Por, nga ana tjetër, gjykata e gjeti fajtor Frrokun për 3 akuza të tjera: fshehje të pasurisë, pastrim i produkteve të veprës penale dhe ndërtim i paligjshëm.

Dhe për këto 3 akuza u dënua me 7 vjet e 6 muaj burgim, si dhe me dënimin plotësues për të mos u zgjedhur për 4 vite në funksione publike. Ndonëse i pandehuri Frroku u arrestua në kohën që ishte deputet, si i dyshuar për akuzën e vrasjes, tanimë dënimin me burgim do ta bëjë për akuza të tjera, të cilat prokuroria i ka ngritur pas arrestimit të tij. Në lidhje me këtë dënim, avokati i Frrokut ka këtë reagim: “Do t’i drejtohemi Gjykatës së Apelit, jo vetëm për të kundërshtuar këtë vendim, por për të realizuar një tjetër ekspertim kontabël mbi përllogaritjen e pasurisë, pasi ekspertiza që mori për bazë Gjykata e Shkallës së Parë nuk është e saktë dhe në kundërshtim me ligjin”.

Top Channel