Hetimet për atentatin e Vlorës

21/04/2017 00:00

Ergys Gjioveshaj, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së enjtes në një lokal nate në zonën e ujit të ftohtë, nuk është një emër i panjohur për Policinë e Vlorës.

33-vjeçari rezulton një person me precedentë penalë, i dënuar për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim në vitin 2000, ngjarje për të cilën ishte dënuar me 12 vjet burgim.

Gjioveshaj u arrestua nga Interpol Vjena për llogari të drejtësisë shqiptare në qershor të 2011-ës në Austri dhe mësohet se ai vetëm pak muaj më parë kishte dalë nga burgu. Për këtë arsye hetimet për këtë ngjarje të rëndë janë fokusuar në pistën e hakmarrjes.

Në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe një kamarier dhe një muzikant i lokalit, si dhe një shtetase 26-vjeçare, e cila dyshohet të ketë qenë në tavolinë me viktimën, së bashku edhe me 2 persona të tjerë.

Për zbardhjen e ngjarjes policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, ndërsa atentati dyshohet të jetë kryer nga 2 persona të pamaskuar, të cilët pasi kanë hyrë në lokal kanë qëlluar në drejtim të Gjioveshajt dhe më pas janë larguar me shpejtësi.

Policia ka shoqëruar disa persona, dëshmitarë okularë dhe disa te dyshuar. Krahas pistës së hakmarrjes që lidhet, policia e Vlorës po heton edhe në lidhje me disa aktivitete te Gjioveshajt në kohën e qëndrimit jashtë Shqipërisë.

Top Channel