Basha: Mesazhi i DASH, ndryshe; kreu i PD sulmon mediat

21/04/2017 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka rrëzuar pretendimet e kryeministrit Rama për mesazhin e Uashingtonit, duke thënë se Departamenti i Shtetit ka thënë diçka tjetër: se zgjedhje pa opozitën nuk ka.

Kreu demokrat e tha këtë duke sulmuar një portal të njohur lajmesh për shtrembërim të së vërtetës. Ai gjithashtu sulmoi edhe televizionin Top Channel.

“Sot, mediat konvencionale janë tërësisht nën pushtetin dhe presionin e pushtetit. Nga sot, le të nisim konkursin e “fake news”. “Fake news” për javën që mbyllëm, kush janë kampionët e “fake news”? Këtë javë kemi dy kampionë, Top-Channel, Balkanweb dhe Panorama online, për fat të keq”, tha Basha.

“Top-Channel e merr majën e “fake news” sot, për interpretimin allasojçe, sipas qejfit të Edi Ramës, që i bëri prononcimit tim të djeshëm për vettingun. Edi Rama dje tha se: “Është i gatshëm ta shtyjë vettingun pas zgjedhjeve”. Dhe unë iu përgjigja se: “vettingu nuk ka pse të shtyhet pas zgjedhjeve, po do të bëhet menjëherë pas qeverisë zgjedhore”, pra qeverisë që do të përgatisë zgjedhjet, sipas dhe vetëm sipas, konsensusit të 22 korrikut të vitit të kaluar”, theksoi kreu i opozitës.

Ai doli me një propozim tjetër për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. “Presidenti i Republikës nuk është as i PD-së, as i PS-së as i LSI-së dhe i asnjë partie. Ai është dhe duhet të jetë Presidenti i popullit, ndaj propozimi ynë është ta zgjedhim Presidentin nga populli”, tha Basha.

Kreu i PD shtoi se zgjedhja e Presidentit drejtpërdrejt nga populli i kthen pushtetin popullit dhe e bën Presidentin përgjegjës para popullit dhe jo partive politike.

“Beteja jonë, sot, është beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat do t’i hapin rrugën Republikës së Re. Por duke qenë se zgjedhja e Presidentit po shtrohet në tavolinë, e meqënëse po kërkohet kontributi ynë, ne kemi vetëm një zgjidhje për çështjen e Presidentit të Republikës: të ndryshojmë Kushtetutën që Presidentin ta zgjedhë drejtpërdrejt populli shqiptar”, shtoi ai.

Top Channel