Sulm terrorist në Paris, vriten dy oficerë dhe një agresor

20/04/2017 00:00

Dy oficerë policie janë qëlluar për vdekje dhe një tjetër është plagosur nga dy persona të armatosur me kallashnikovë në bulevardin qëndror “Champs Elysees” të Parisit, rreth orës 21 të mbrëmjes së kësaj të enjteje.

Policia franceze ka njoftuar se incidenti me shumë mundësi mund të jetë një akt terrorist, ndërsa sheshi më i famshëm francez është rrethuar që prej orës 21 nga forca të shumta policie dhe automjete të ndihmës së shpejtë.

Oficerë të armatosur rëndë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ndërkohë që një person i tretë, që dyshohet të jetë njëri nga agresorët, është plagosur dhe ka ndërruar jetë.

Policia ka njoftuar gjithashtu se “të paktën” dy persona u përfshinë në këtë sulm në zemër të kryeqytetit francez. Ndërkohë, televizioni “BFM TV” raporton se dy agresorët janë qëlluar, ndërsa njëri prej tyre ka mbetur i vdekur.

Ngjarje vjen në një moment kur kandidatët presidencialë të Francës dolën në një debat televiziv, shumë pranë vendngjarjes. Një dëshmitare tha për “BFM TV” se kishte dëgjuar të shtëna, pa trupin e një njeriu të shtrirë në tokë, ndërsa më pas zona u evakuua urgjentisht nga policia.

Franca ndodhet në gjendje emergjence, që prej sulmit të parë të kryer nga militantë ekstremistë islamikë, e që është pasuar me disa sulme të tjera.

Të shtënat, gjithashtu erdhën vetëm pak orë pasi rrugët më të ngarkuara me trafik në Paris u mbyllën përkohësisht nga policia, pasi u dha një alarm për një pako të dyshimtë, që u zbulua nga oficerët në “Rue de Rivoli”, në qendër të kryeqytetit.

Sulmet në Francë datojnë që prej janarit të vitit 2015 e më pas me vrasjet në ditën e Bastijës në Nicë, në vitin 2016.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel