Ndikimi në zgjedhjet e SHBA, Putinit ia lehtësuan punën…

20/04/2017 00:00

Një organizëm “think tank” i kontrolluar nga Vladimir Putin zhvilloi një plan për të lëkundur zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 në favor të Donald Trumpit dhe për të minuar besimin e votuesve në sistemin zgjedhor amerikan. Ky është përfundimi i 3 zyrtarëve aktualë dhe 4 ish-zyrtarëve të administratës amerikane, raportuar nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ata i përshkruan dy dokumente konfidenciale të “think tank”-ut si dokumente që siguronin kuadrin dhe arsyetimin për atë që agjencitë amerikane të shërbimeve sekrete e konsiderojnë si një përpjekje intensive të Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet e 8 nëntorit të kaluar në SHBA.

Zyrtarë amerikanë të shërbimeve sekrete kërkuan t’i kishin këto dokumente, që ishin përgatitur nga Instituti rus për Studimet Strategjike me seli në Moskë, pas zgjedhjeve.

Instituti në fjalë drejtohet nga zyrtarë rusë të dalë në pension të shërbimeve sekrete të huaja, të emëruar drejtpërdrejt nga zyra e Putinit. Dokumenti i parë i këtij instituti ishte një letër strategjike e shkruar në qershor të vitit të kaluar, që qarkullonte në nivelet më të larta qeveritare ruse, por nuk i adresohej ndonjë individi në mënyrë specifike.

Letra i rekomandonte Kremlinit nisjen e një fushate propagandistike nëpër rrjetet sociale dhe në rrjetet globale të lajmeve të mbështetura nga rusët, për të inkurajuar votuesit amerikanë të zgjidhnin një president që do të mbante një linjë më të butë përkundrejt Rusisë, në krahasim me administratën e demokratit Barack Obama, thanë të 7 zyrtarët.

Dokumenti i dytë i institutit, i hartuar në tetor dhe i shpërndarë në të njëjtën mënyrë, paralajmëronte se kandidatja demokrate presidenciale, Hillary Clinton ishte pretendente për të fituar zgjedhjet. Për këtë arsye, në letër argumentohej se ishte më mirë që Rusia t’i jepte fund propagandës pro Trumpit dhe të intensifikonte mesazhet e saj për manipulimin e votuesve në mënyrë që të minohej legjitimiteti i sistemit zgjedhor amerikan dhe të dëmtohej reputacioni i Clintonit, në një përpjekje për të pamundësuar një presidencë amerikane të udhëhequr prej saj.

Zyrtarët aktualë dhe të dikurshëm amerikanë kanë folur në kushtet e anonimatit, për shkak se dokumentet ruse kanë status konfidencial. Ata refuzuan të diskutonin sesi ka mundur që SHBA t’i sigurojë këto dokumente, sikurse edhe agjencitë e shërbimeve sekrete nuk kanë pranuar të komentojnë mbi to.

Putin ka mohuar vazhdimisht të ketë ndërhyrë në zgjedhjet amerikane. Zëdhënësi i tij dhe instituti rus nuk i janë përgjigjur kërkesave për koment mbi këtë zhvillim të fundit.

Dokumentet në fjalë ishin thelbësore në përfundimin e administratës “Obama” se, Rusia ndërmori një fushatë lajmesh të rreme dhe kreu sulme kibernetike kundër grupeve të Partisë Demokratike dhe fushatës së Hillary Clintonit. “Putin e kishte pasur këtë objektiv në mendjen e tij gjatë të gjithë kohës, ndërsa i kishte kërkuar këtij instituti që të hartonte një udhërrëfyes për të”, tha njëri nga burimet në fjalë, që ka qenë ish-zyrtar i shërbimeve sekrete amerikane.

Trump, nga ana e tij, ka thënë se aktivitetet e Rusisë nuk kanë pasur aspak ndikim në rezultatin zgjedhor.

Top Channel