Bino: Duhen vaksina të reja për mbrojtje nga 5 sëmundje

20/04/2017 00:00

Shqipëria duhet të përfshijë në kalendarin kombëtar të vaksinimit edhe 5 vaksina të tjera në moshën fëminore, të cilat parandalojnë sëmundje të rënda. Përveç vendeve të Bashkimit Europian janë të përfshira në kalendar edhe në vendet fqinje apo vende me të ardhura sa vendi ynë.

“Një nga këto është vaksina ndaj Rotavirusit, të cilën aktualisht ka shumë prindër që e blejnë te privati, sepse mbron fëmijët nga diarreja e rëndë. Tjetër që duhet futur në program është vaksina ndaj kancerit të qafës së mitrës, që sot ka të dhëna mjaft të sigurta në lidhje me efektshmërinë e saj për mbrojtje ndaj këtij tumori. Duhet të mendojmë për vaksinimin ndaj variçelës”, tha Dr. Silva Bino, shefe e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP.

Në popullatë ka një perceptim se fëmijët shqiptarë bëjnë vaksina të tepërta, apo ka raste që refuzojnë t’i bëjnë vaksinat, siç është ajo e fruth-rubeolës. Ndërkohë që nga vaksinat, – thekson Bino, – janë zhdukur disa sëmundje si Poliomeliti, për të cilin nëse popullata nuk do të vaksinohej, do të kishim shumë persona të paralizuar.

“Ideja që janë shumë vaksina dhe dëmtojnë imunitetin është perceptim që njerëzit mendojnë. Vaksinat nxisin mbrojtjen imunitare ndaj një infeksioni të caktuar. Ne jemi në fazën e eliminimit të fruthit dhe rubeolës kongenitale, pra nuk kemi raste autoktone me fruth”, deklaroi më tej Silva Bino.

Vaksina për Rotavirusin, për të cilin ka përfunduar edhe vlerësimi, kërkohet të futet në kalendarin e vaksinimit të vitit 2018.

Top Channel