Një bombë artizanale ka shpërthyer jashtë një banke në qendër të Athinës.

Sipas policisë greke,çdo gjë ka nisur pak mbas orës 22:05, sipas orës lokale, kur një person ende i panjohur, për të cilin policia thotë se është terrorist marksist, telefonoi në redaksinë e një faqeje interneti lajmesh, për të paralajmëruar se një bombë do të shpërthente në filialin e “Eurobank” në kryeqëzimin e rrugës Sarandoza dhe Stadhiu, në qendër të Athinës, duke dhënë 35 minuta kohë për evakuimin e zonës.

Policia që mbërriti menjëherë në zonë, mundi të gjejë mekanizmin shpërthyes, i cili ishte lënë në hyrje të bankës, prej dy personave të maskuar, të cilët zbritën nga një motoçikletë dhe u larguan brenda pak sekondash.

Policia mundi të gjejë bombën, por u vlerësua se ishte tepër e rrezikshme çdo tentativë  për çaktivizimin e saj, ndaj edhe u vendos që të pritej deri në afatin e vendosur prej terroristëve.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, bomba shpërtheu në momentin që terroristët kishin paralajmëruar. Shpërthimi ishte mjaft i fuqishëm dhe dëmtoi fasadën e bankës si dhe xhamat e dyqaneve pranë filialit të bankës.

Forcat e policisë kanë rrethuat zonën dhe bllokuan çdo rrugë në një perimetër prej 500 metrash nga vendi i ngjarjes. Në zonë ndodhen ekspertët e anti-terrorit, të cilët mblodhën çdo pjesë të mbetur të bombës.

Dyshohet se bomba ishte e përbërë prej një detonatori të fuqishëm, dy ose tre kallupe dinamiti të lidhura me një sahat. Për fat nuk raportohet asnjë person i dëmtuar.

Policia beson se akti terrotist është vepër e organizatave vendase, me shumë gjasë e organizatës terroriste pothuaj të vetme aktive në vend, “Komploti i celulave të zjarrit”.

Disa antarë të kësaj organizate janë arrestuar dhe gjykuar prej autoriteteve, por ekspertët englimatologë besojnë se organizatat marksiste dhe anarkiste, gjejnë lehtësisht përkrahës dhe simpatizantë në grupet studentore, për shkak të gjendjes së keqe ekonomike të vendit dhe mungesës të një të ardhmeje të sigurtë për brezin e ri, në Greqinë e pllakosur prej krizës ekonomike.

Top Channel