Artistët shqiptarë në Athinë; “Dokumenta 14”, eventi i arteve pamore

16/04/2017 00:00

Në Muzeun Kombëtar të Artit Bashkëkohor në Athinë ka nisur “Dokumenta 14”, një event i përvitshëm i rëndësishëm për artet pamore, pjesë e së cilit këtë vit janë 14 artistë shqiptarë.

Mes emrave të njohur të arteve pamore shqiptare si Abdurrahim Buza, Kel Kodheli e shumë të tjerë, prezanton punimet e tij edhe artisti Edi Hila.

“Në fakt është goxha sasi e madhe punësh që fillon me vizatime, me skica, akuarel dhe tempra që unë i kam pikturuar dikur, shume vjet me pare që janë rreth 46 copë. Pastaj janë edhe 4 piktura tablo në vaj që i takojnë një periudhe më pak të hershme. Janë gjithashtu edhe 8 piktura të tjera të periudhës së mëvonshme, por që janë shpërndarë në Athinë e Kassel”, shprehet piktori Edi Hila.

“Dokumenta” ne edicionin e 14 te saj prek ne thelb aktualitetin duke u nisur nga problematikat e kohës. Ndaj vendi mikpritës është zgjedhur Athina, si djepi i demokracisë, ku nis diskutimi mbi kujtesën historike, qe artistet shqiptare e prezantojnë përmes realizmit socialist.

“Nuk është e rastit që edhe vetë veprat e zgjedhura nga kuratori Erzen Shkollolli janë zgjedhur pikërisht të asaj periudhe që i takon realizmit socialist, sepse edhe tek punët e mia, edhe tek ato të artistëve të tjerë në themel është problemi i se kaluarës, i diktaturave dhe problem I rilindjes se diktaturave. ‘Dokumenta’ zhvillohet shumë e pasur në kuptimin e informacionit. Ka ritëm, në të njëjtën kohë është shume e kuruar. Punët janë të zgjedhura mirë. Ka një dimension profesional shumë të lartë, duhet thënë se nuk është e lehtë që të jesh në këtë marrëdhënie krijuese përmes punëve. Personalisht më jep shumë kënaqësi, sepse në të marr pjesë më shumë punë”, thotë Hila.

Në Athinë punët e artistëve shqiptare do të prezantohen deri në datën 16 korrik, ndërsa pjesa e dytë e eventit do të zhvendoset në Kassel nga data 10 qershor deri me 17 shtator.

Top Channel