Pas dashurisë dhe dëshirave të rinisë, pikturën e kish zgjedhur si pasionin e moshës, pa e ditur dhe pa e imagjinuar ndonjëherë se ajo do të kthehej në formë jetese, pa të cilën edhe sot nuk bën dot.

“Pikturën e quaja diçka të frikshme. Më dukej e paarritshme. E adhuroja por nga larg, si diçka që nuk më përkiste. Pastaj rastësisht lexova librin e Van Gogut, dhe aty mësova se ai kishte nisur të pikturonte në moshën 27 vjeç. Dhe aty bëra një lloj lidhje dhe mora kurajën. Ishte një lloj shenje, dëshirën e kisha, bëra një lloj tentative të fshehura amatoreske, mora konsiderata maksimale. Vazhdova nja 2-3 muaj me ndrojtje dhe pashë që konsideratat shtoheshin dhe aty vendosa definitivisht t’i kushtohem artit”, shprehet piktori Avni Delvina.

Sot pikturën nuk e quan thjesht pasion por pjesë të pandarë të jetës.

“Padiskutim sepse kënaqësia që të jep arti është diçka e veçantë. Plus që unë i jam kushtuar me mish e me shpirt, pothuajse e kam kthyer në të përditshme. E kam të domosdoshme, është diçka jetike për mua pas kaq vitesh. Mendoj dhe kam shpresë të jetoj shumë vetëm për të pikturuar”, thotë Delvina.

Nuk i pëlqejnë më ngjyrat dhe si teknikë për tablotë e tij ka zgjedhur grafikën, për të sjellë diçka ndryshe me mesazhe të drejtpërdrejta.

“Me daljen e rrjeteve sociale, sigurisht filloi një lloj ngacmimi e komunikimi i gjithanshëm. Aty fillova me grafikat me penë. Nga grafikat, kisha vështirësi në komunikim sepse krijimin tim e doja diçka të fortë, diçka të drejtpërdrejtë dhe gazetareske. Sidomos të “Facebook”. Them se është një gjetje.  Është si manifest i imi”, shprehet piktori.

Avniu u largua në Itali në fillimin e viteve ‘90, ashtu si shumica e shqiptarëve. Nga ajo kohë jeton në Itali, vend i cili e frymëzon, por jo ashtu siç e ngacmon Shqipëria.

“Italia ka një lloj komoditeti. Aty është më shumë për të reflektuar. Ndërsa Shqipëria është shumë ngacmuese. Shpeshherë e krahasoj edhe me oborrin e mrekullive “Notredam de Paris” . Ky është një vend në përpëlitje e sipër për të gjetur rrugën e demokracisë dhe elementët negative apo pozitivë I gjen me shumicë. Për artin tim është burim frymëzimi”.

Politika e ka ngacmuar gjithnjë, edhe ajo e vendit fqinj. Si urë lidhëse për tu afruar me të, ka shërbyer piktura.

“Kam qenë gjithnjë simpatizant i Berlusconit, është njeri shumë kompleks. Ishte një kënaqësi takimi me të. Ai e prezantoi grafikën time në senatin Italian. Kur po dilnim në fotografi, ai me perfeksionizmin e vet, Rigorozitetin e vet, në gjithçka, nga ana vizuale, unë isha I emocionuar pranë tij ndërsa ai në gjithë atë zhurmë, më tha: Artist, po të jap një këshillë nga ana estetike, mbylle xhaketën se gjithmonë del më i rregullt dhe më mirë në foto”.

Por kënaqësinë më të madhe e mori nga ish presidenti amerikan George Bush.

“Kisha një lloj kënaqësie që t’i bëja një dhurate, pashë që ai i ishte dhënë artit. Pikturonte, pikturonte më tepër portrete të njerëzve e personaliteteve që kishte njohur. Apo heronjve të luftërave amerikane. Ky pasioni I përbashkët më nxiti që t’ja bëj këtë dhuratë. I bëra një grafikë të madhe. Ishte interpretimi i një busti të Romës antike dhe sigurisht me flamurin shqiptar me atë amerikan të ndërthurur për këtë miqësi kaq të madhe dhe jetike për popullin shqiptar. Sadisfaksioni erdhi, letra ishte private nga ai dhe Laura Bush…”.

Avniu është pasardhës i familjes së Sulejman Delvinës, por edhe i familjes shkodrane Prodani.

“U rrita në një ambient artistësh. Është kënaqësi që rrjedh nga një familje atdhetare. Është edhe përgjegjësi. Kënaqësi në qoftë se lufton çdo ditë që të jesh pozitiv e të japësh një minimum kontributi, por është edhe fatkeqësi në qoftë se t’i nuk lufton dhe nuk e justifikon atë emër”.

Për Avniun, Shqipëria premton shumë për artistët por një eksperiencë jashtë është e domosdoshme për të provuar një eksperiencë të re dhe unike.

Top Channel