Ekspozita njerëzore, Zinni Veshi sjell format e reja të artit

15/04/2017 00:00

Në vitet ’80 ashtu sikurse edhe sot ai pikturonte figurën njerëzore. Por ndryshe nga piktura e viteve të realizimit socialist, ajo e pas viteve ‘90 ka ndryshuar shumë.

Sërish në qendër janë portretet njerëzore, por me një intensitet më të lartë në një pikturë të thellë në ngjyrë dhe mendim, ndoshta si rezultat i ndikimit të kulturës amerikane, pasi prej vitesh Zinni Veshi e ka transferuar jetën e tij në New York.

 “Është e njëjta mënyrë si e përftoj unë realitetin si në periudhën e parë që kam qënë këtu në Shqipëri. Është e njëjta gjë edhe në ambiente të tjera. Kryesorja është zhvillimi artistik dhe janë rrethanat ndihmuese që ndikojnë në rastin tim të jetuarit në New York, të qënit në kontakt me kritikën e tyre që e kanë shumë të zhvilluar. Ky është avantazhi”, tha Zinni Veshi, piktor.

Veshi prej vitesh është i angazhuar në kompaninë më të madhe të restaurimeve në New York, por krahas pasionit për restaurimet ai nuk lë pas dore edhe pikturën. Në kaudrot e tij dallohet qartazi shtresëzimi, një veçanti e artistit e kultivuar ndër vite.

“Fillon shumë normale si pikturë. Që ilustron mendimin tim. Fillon nga realiteti ynë i përbashkët. Dhe pastaj zhvillohet brenda ligjeve të pikturës. Është proces që realizohet nëpërmjet shtresëzimeve deri sa arrin krijon vetveten si puna e muzikës apo e simfonisë”, rrëfen Veshi.

Ekspozita vetjake ‘Për tej të figurshmes’ do të prese publikun e Galerisë Kombëtare të Arteve deri në datën 10 maj.

Top Channel