Qëndrim Rijani sjell një teatër me ritëm, të denjë për një skenar me spiunazh. “39 hapat”, vepra e Patric Barloë, është një përshtatje e romanit të John Buchan dhe filmit të Alfred Hitchcock, realizuar në vitin 1935.

Në skenë janë vetëm 4 aktorë që portretizojnë një numër të madh karakteresh. Dhe çdo ndryshim teknik e bëjnë në sy të publikut.

“Kjo vepër është komplekse në vendet e veprimit. Asnjë moment nuk duhet ta shkëpusim publikun nga teatri”, thotë Rijani.

Historia e heroit Richard Hannay, në garë për të zgjidhur misterin e “39 Hapave”, është një angazhim i plotë i aktorit Neritan Liçaj në 100 minuta, i cili është i vetmi që mban të njëjtin karkter përgjatë gjithë shfaqjes.

E më pas, aktorët e tjerë si Jonida Vokshi, Florian Agalliu, Donald Shehu interpretojnë një sërë skenash të një loje të gjatë të zbulimit të sekretit të 39 hapave dhe pastrimit të emrit të Hannay.

“Në karrierën time, nuk mbaj mend të kem pasur një projekt të tillë, me kaq shumë elementë”, tha Liçaj.

Ndërsa Florian Agalliu shprehet: “Pjesa më e vështirë është teknike sesa aktoriale”.

“Një eksperiencë e re e konceptimit të shfaqjes”, e konsideroi Donald Shehi.

Premiera vjen prej 14 prillit në Teatrin e Metropolit.

Top Channel